Një nuse në Florida dhe kompania që u kujdes për ushqimin janë akuzuar penalisht pasi u kanë shërbyer dasmorëve ushqim të mbushur me marijuanë.
Danya Shea Svoboda, 42 vjeç dhe Jocelyn Montrinice Bryant, 31, e cila u kujdes për ushqimin në dasmë, përballen me akuza për shkelje të ligjeve të Florida-s kundër shpërndarjes së marijuanës dhe neglizhencë.
Më 19 shkurt, autoritetet mbërritën në vendgjarje ku specialistët e shërbimit të urgjencës po kujdeseshin për të ftuarit e shumtë të dasmës sepse kishin “simptoma që përputhen me ato të dikujt që ka përdorur droga të paligjshme”.
Ata pyetën nusen dhe dhëndrin nëse kishin pranuar ose kërkuar që ndonjë nga ushqimet të përmbante produkte kanabisi. Dhëndri, Andrew Svoboda, “nguli sytë me një fytyrë të çuditur për disa çaste përpara se të belbëzonte një “jo”. ”, thuhet në deklaratën e urdhrit të arrestit.
Autoritetet u përpoqën të gjenin menaxheren e kateringut. Ata mblodhën enë qelqi dhe enë të përdorura, si dhe ushqime, duke përfshirë lazanja, luleshtrydhe me çokollatë dhe puding. Mysafirët e dasmës kishin simptoma që ndiheshin “të rënduar” dhe “të sëmurë”.
Një i ftuar që hëngri sallatë caesar tha se “ndiente ndjesi shpimi gjilpërash, zemra filloi t’i rrihte dhe kishte mendime të çmendura”, duke shtuar se ai kishte përdorur marijuanë vite më parë, por kjo përvojë “ndihej ndryshe”. Një tjetër i ftuar tha se ndihej “i çuditshëm, kishte ndjesi shpimi gjilpërash, ishte nervoz dhe e kishte gojën jashtëzakonisht të thatë”.
Një e ftuar tjetër filloi të kishte të vjella, ndërsa dikush u bë paranojake duke thënë se dhëndri i saj kishte vdekur dhe familja nuk ia kishte thënë. Disa të ftuar shkuan në spital, ku u gjet THC në gjak. Mostrat e ushqimit të mbledhura në dasmë përmbanin gjithashtu THC (THC – substanca që është kryesisht përgjegjëse për efektet e marijuanës në gjendjen mendore të një personi).