Një përplasje po ndodh brenda Partisë Socialiste dhe shkaku janë bastet sportive. Deputeti socialist Erion Braçe është kundër rikthimit të basteve sportive.
Ai merr shembullin e Luiza Gegës duke thënë se nuk u shpall kampione e Evropës prej parave të basteve, por prej mundit e sakrificës së derdhur përditë.
Reagimi i Braçes vjen menjëherë pas propozimit të bërë nga Fidel Yllli, kreu i Komitetit Olimpik i cili menjëherë pas fitores së Luiza Gegës kërkoi rihapjen e basteve, të mbyllura që në 2018.
Deputeti socialist i thotë se po bëhet banale që pas çdo suksesi apo dështimi sportiv, rriten tonet për të ligjëruar bastet.
“Luiza Gegën nuk e bënë kampione të Evropës bastet, paratë e basteve apo ekonomia kriminale e basteve! E bëri puna e mundi e sakrifica, lotët dhe djersa e derdhur ditë për ditë. Stadiumin e parë, të dytë, të tretë apo të katërt, nuk i bënë bastet, paratë e basteve apo ekonomia e basteve! E bënë paratë e tatimeve, taksave brenda një ekonomie buxhetore që administron qeveria e Shqipërisë. Doja ta theksoja këtë, sepse po bëhet banale që pas çdo suksesi sportiv apo dështimi po të tille, rriten tonet për të ligjëruar përsëri bastet!”, tha Braçe. Ndër të tjera shton se bastet kontrollohen ndaj krimi i organizuar, ndaj e kundërshton fort rikthimin e tyre. “Bastet, legalizimet nga e zeza në të cilën janë nuk janë zgjidhje. Bastet, ekonominë e tyre e kishte në dorë krimi i organizuar kur ne i mbyllëm, e ka sot në të zezë krimi i organizuar, do ta ketë nesër pa diskutim po prapë krimi i organizuar. A e dini pse? Se nuk ka luftë kundër ekonomisë kriminale të basteve”, tha ai. Sa i përket aksioneve të policisë për goditjen ndaj basteve sportive ilegale, thotë se bëhen për sy e faqe pasi synimi duhet të jetë sulmi ndaj organizatave kriminale.
Gjithashtu bie dakord që sporti ka nevojë për të ardhura por sugjeron që të bëhet me ekonomi sporti nga njerëz që duan të investojnë në këtë fushë. “Ato aksionet e policisë nëpër bastore ilegale lart e poshtë apo në klube që mbajnë baste janë luftë pa mend, janë kot, janë sa për sy e faqe. Duhen sulmuar organizatat kriminale që mbajnë bastet në zemër të tyre. Një herë e ka bërë policia këtë kur i vajti në zemër nj organizate kriminale, i arrestoi të gjithë pavarësisht se drejtësia e korruptuar i liroi po të gjithë. Kjo është lufta që duhet bërë. Është themelore kjo gjë. Pa diskutim që sporti ka nevojë për para. Ato para duhen administruar brenda një ekonomie të sportit, përtej buxhetit, edhe si incentiva fiskale për njerëz që duan të investojnë në sport. Këto duhen bërë, jo ekonomia e ndërtuar me paratë kriminale të organizatave kriminale që mbajnë bastet në këtë vend”, përfundoi Braçe.
Kërkesa e Fidel Yllin
Nga ana tjetër Federatat sportive i ka kërkuar qeverisë rikthimin e basteve sportive, ndonëse ato janë mbyllur që prej vitit 2018. Një pjesë e peticionit të federatave sportive është zbardhur, në të cilin thuhet se nuk kërkojnë rikthim të kazinove elektronike apo sallave të bingos.
Ata propozojnë që të operojnë në treg vetëm operatorë ekonomikë të certifikuar, si edhe të vendoset një moshë limit për personat që do lejohen. Kreu i KOKSH Fidel Ylli, i kërkoi kryeministrit Edi Rama rikthimin e tyre. Sipas Yllit, kompanitë e basteve po gëlojnë në ‘errësirë’, duke mos paguar taksa, s’kanë të punësuar dhe nuk japin para për shtetin. “Sportistët shqiptarë nuk marrin më rrugën e emigrimit për flamuj të tjerë. Luiza është anëtare e Forcave të Armatosura, duhet ta falënderojmë ministri Peleshi për ndihmën e dhënë. Ne nuk kërkojmë lëmoshë nga qeveria zoti kryeministër, ne qeverinë e duam partner.
Zoti kryeministër do të të bëja një thirrje, nxirri ato kompani bastesh që gëlojnë. Ato para t’ua japim shpërblime elitare sportistëve, për të rregulluar atë Pallat Sportesh, për të ringritur palestra vende. Ne nuk mund të kërkojmë lëmoshë nga buxheti i shteti, kaq është buxheti i shtetit. Unë kam qenë në Parlament dhe e di se si ndahet buxheti i Shtetit dhe sa është, por i merr errësira, njerëz anonimë, përse duhet të ndodhë kjo? U bë shumë mirë që u mbyllën, afër çdo institucioni, çdo shkolle, poshtë pallateve kishte 10 lokale bastesh, por ka ardhur momentin që të bëhet një studim, kaq të pasur jemi që ne këto para t’ia lëmë këto para rrugës? Kaq të mëdhenj jemi ne? duhet bërë një studim zoti kryeministër, kompani bastesh ka Italia. Ne nuk mund të rrime në atë Pallat Sporti zoti kryeministër, duhen bërë lojëra olimpike, ne kemi një hap tonin që duhet të tregojmë dhe të promovojmë që Shqipëria ka bërë reforma. Kemi marrë dy projekte nga Komisioni Evropian,” tha Ylli ndër të tjera.