Operacioni i SPAK , Crowne Plaza po ndërtohet me para të vjedhura në Tiranë, kush po e toleron kompaninë e Redi Mollës të vazhdojë punimet?
Hetimi i SPAK zbuloi se drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato kishin ngritur një skemë të mirëfilltë korruptive duke transferuar fonde publike përmes tenderëve të paracaktuar në kompaninë e tyre “5D“.
Ndërkohë, pak ditë para se të arrestohej nga SPAK, Redi Molla transferoi aksionet e tij në njërën prej kompanive që po ndërton një hotel luksoz në Durrës, i cili është shpallur investitor strategjik. Më datë 9 korrik SPAK njoftoi sekuestrimin e aksioneve të Mollës te kompania që po ndërton hotelin me 5 yje.
Siç ka shkruajtur më herët Gazeta Jonë, bëhet fjalë për hotelin “Crowne Plaza” në Durrës, i cili po ndërtohet nga kompania Mediterranean Investment Group, aksioner i së cilës është edhe vetë Redi Molla nga shkurti 2024 përmes kompaisë RESTUR.
SPAK duket se e ka qepur mirë dosjen hetimore në lidhje me grupin e drejtorëve, ku Redi Molla dhe Mariglen Qato kanë rol kryesor.
Ka të dhëna se paratë e vjedhura nga qytetarët e Tiranës janë investuar edhe në hotelin “Croëne Plaza” në Durrës, kështu që do të ishte e udhës që të bllokoheshin punimet për ndërtimin e tij si edhe kompania e shpallur si Investitor Strategjik deri në kryerjen e verifikimeve përkatëse nëse ka apo jo para të vjedhura nga Redi Molla që po investohen apo janë investuar në këtë godinë, që mbi të gjitha, u ka vjedhur edhe rërën banorëve të zonës.
Redi Molla dhe Mariglen Qato ia “futën” edhe Safet Gjicit
Gazeta Jonë ka parë dosjen e SPAK për aktivitetin e paligjshëm të drejtorëvë në fjalë ku duket se Redi Molla, Taulant Tusha dhe Mariglen Qato kanë ngritur strukturën që jo vetëm të merrnin një pjesë të mirë të tenderave, por edhe të ishin ata që vendosnin se kush fitonte.
Por, që të përcaktohej fituesi duhej fillimisht të skualifikoheshin të tjerët dhe për këtë funksiononte një strukturë tjetër, e drejtuar nga Taulant Tusha, Nestor Muhametllari dhe Manjola Bunguri.
Treshja në fjalë rezulton se shqyrtonte dosjet e konkurrentëve kur merrnin pjesë në tendera dhe bashkëpunonin për të gjetur “kleçka” përmes të cilave t’i skualifikonin nga tenderi me qëllim që t’i hapnin rrugën kompanisë “5D”, e cila më herët ka funksionuar edhe nën emrin “Igor” apo “V.A.S”.
Gazeta Jonë ka parë procedurën e zbardhur nga SPAK në lidhje me tenderin “Rregullim i sheshit të stadiumit Selman Stërmasi”, organizuar nga Tirana Parking me drejtorës Eglantina Zëren.
Rezulton se në këtë tender kanë marrë pjesë shumë operatorë ekonomikë, mes tyre edhe bashkimi i kompanisë “V.A.S konstruksion” që rezulton e drejtorëvë të Bashkisë së Tiranës me “Rroku Guest”. Këta u shpallën fitues me 98% të fondit limit, por si u arrit deri këtu?
Gazeta ka parë bisedat ku ndër të tjera, Nestor Muhametllari komunikon me Manjola Bungurin dhe i thotë që kanë mbetur për t’u skualifikuar vetëm kompanitë “Ndregjoni dhe Turja..se të tjerat kishin ngatërruar ofertën”.
Pasi e siguron se do ta shohë këtë gjë, Manjola Bunguri i shkruan Nestor Muhametllarit duke i thënë se “Ndregjonit i gjeta shumë mangësi…se këtë kisha merak”, ndërsa Muhametllari shkruan: Aa shyqyr, se e kisha dhe unë merak!
Një ditë më pas, Manjola Bunguri i shkruan Nestor Muhametllarit duke i thënë se skuadra i kishte gjetur gabimet konkurrentëve të tjerë dhe se ishin gati për t’u hedhur në sistem përmes açounteve të anëtarëve të KVO-së, e cila po ashtu zotërohej nga grupi i drejtorëve.
“Nestor janë gati gabimet, hidhen nesër në orën 9….”, shkruan Manjola Bunguri, ndërsa më poshtë thekson se edhe “Kevin Konstruksion” i kishte “shumë mirë letrat”.
“Më vonoi Kevin konst ..se i kishte shumë mirë letrat”, shkruan Manjola Bunguri, ndërsa rezulton se kjo kompani kishte dhënë një ofertë më të ulët se kompania e drejtorëve, por që sërish e skualifikuan.
Kujtojmë ae Kevin Konstruksion është kompania e Safet Gjicit.
Siç zbuloi më herët Gazeta Jonë, drejtorët në fjalë kishin marrë rreth 30 milionë euro tendera në bashkëpunim me biznesmenë dhe oligarkë të tjerë, me të cilët ndanin paratë. Mes tyre ishin Samir Mane me Mane TCI, Shkëlqim Fusha, Besnik Bami, Hamz Ismailaj, etj. /Gazeta Jonë