SPAK , skema si lidhet Samir Mane me drejtorët e arrestuar të Bashkisë Tiranë

Prokurori i SPAK Klodian Braho ka bërë një hetim të thellluar të skemës së si Redi Molla dhe Mariglen Qato kishin ngritur gjithçka në shërbim të kompanisë së tyre “5D”, e cila ka marrë dhjetëra miliona euro tendera në 4 vite nga Bashkia e Tiranës përmes formave korruptive.

EKSKLUZIVE/ “Kevin dhe Ndregjoni i paskan mirë letrat dreqin…”, bisedat kriminale të bandës së drejtorëve , si skualifikoheshin kot kompanitë që të fitonte V.A.S sipas SPAK

Në dosjen e SPAK që ka parë Gazeta Jonë flitet edhe prokurimin me numër reference REF-67231-07-28-2020 për rindërtimin e tetë shkollave në Tiranë me fond limit rreth 13 miliard lekë të reja pa TVSH. SPAK ka konstatuar një komunikim mes Taulant Tushës dhe Nestor Muhametllarit, që është administrator i kompanisë së Mollës dhe Qatos. Sipas prokurorit Braho, ky komunikim konfirmon mes shumë rastesh të tjera se edhe Taulant Tusha ëhtë në dijeni të faktit se kompania “5D” është në pronësi faktike të Mollës dhe Qatos.

Sipas përmbajtjes së këtij komunikimi, Taulant Tusha i ka dërguar një personi tjetër një “folder” me emërtimin “Mangesitë.doc” dhe në komunikim përmendet emri “Hasan Vogli”, më tej midis tyre zhvillohet biseda si më poshtë:

Biseda: 

Bashkëbiseduesi: Kush e solli këtë?

Taulant Tusha: Dr. ime.

Bashkëbiseduesi: T’i plotësoj me urgjencë, po ia çoj.

Taulant Tusha: Nuk e kuptoj pse nxitohen. Thuaj Nestorit fol me Anjezën për projektin.

Bashkëbiseduesi: I kam thënë unë shpejt… ok.

Tualant Tusha: Se Ilda qenka.

Bashkëbiseduesi: Direkt.

Nga hetimet e SPAK-ut rezultoi se kjo bisedë është bërë për projektin e rindërtimit të shkollës “Hasan Vogli”, ku procedura e tenderit është zhvilluar në gusht të 2020. Personat e përmendur në bisedë janë Nestor Muhametllari, administratori i kompanisë “5D”, si dhe shtetaset Anjeza Çallpati dhe Ilda Qazimllari, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Punëve Publike pranë Bashkisë Tiranë.

“Ky komunikim krijon dyshime se shtetasi Taulant Tusha ka pasur dijeni në lidhje me pronarët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. dhe njëherësh ka dijeni për faktin se shtetasi Nestor Muhametllari është vetëm i punësuar në këtë shoqëri dhe interesohet qe ky i fundit të komunikojë me punonjës të drejtorisë së tij, me qëllim ndreqjen e mangësive në projektin me objekt “Ndërtim i shkollës Hasan Vogli”, thuhet në dosjen e SPAK-ut.

Implikimi i kompanisë së Samir Manes

Nga verifikimet e bëra prej Gazeta Jonë, rezulton se tenderin për shkollën “Hasan Vogli” e ka fituar bashkimi i kompanive
“V.A.S Kontruksion” shpk
 – “Mane TCI” shpk – “Ergi” shpk .

V.A.S Konstruksion është pikërisht kompania e drejtorëve të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që Mane TCI shpk është pjesë e kompanisë BALFIN në pronësi të biznesmenit Samir Mane, ndërkohë që Ergi shpk është në pronësi të Nuri Ballës nga Elbasani.

Të treja kompanitë e kanë marrë tenderin duke bërë një ofertë sa edhe fondi limit, një gjë e rrallë dhe shumë e guximshme kjo për prokurimet publike.

Tani SPAK-ut i mbetet të zbulojë se në çfarë rrethanash janë bashkuar kompanitë e drejtorëve të akuzuar si hajdutë në Bashkisë së Tiranës me kompaninë e biznesmenit Samir Mane.

Pjesa që mungon në këtë hetim ka të bëjë me faktin nëse Samir Mane e dinte ashtu si Taulant Tusha se kush ishin pronarët faktik të kompanisë që po futeshin për të fituar një tender miliardash?!

Interesant është fakti se sipas SPAK, gjatë komunikimeve mes Taulant Tushës dhe Nestor Muhametllarit, Tusha e konsiderohen këtë të fundit thjesht punëtor duke e orientuar se si të “bëjë letrat” gati në mënyrë që kompania e drejtorëve hajdutë dhe ajo e Samir Manes me Nuri Ballën të dalin fituese për rindërtimin e shkollës “Hasan Vogli”.

Oligarkët Samir Mane dhe Shefqet Kastrati 

Ka një perceptim të përgjithshëm në publik dhe media kur krahasohen oligarkët Samir Mane dhe Shefqet Kastrati, sipas të cilit, ky i fundit nuk është përfshirë në përfitimin e parave publike ndryshe nga Kastrati. Në fakt, mpleksja me kompaninë e drejtorëve të arrestuar nga SPAK është njeri element që konfirmon se Mane nuk është ndryshe nga Kastrati, ndërsa kemi qenë ndërkohë dëshmitarë se si janë bërë tunele apo devijuar rrugë apo janë ndryshuar harta qytetesh për të favorizuar pronat e Samir Manes.

Tenderi në fjalë konfirmon se Mane ka ngjyer dorën edhe në tenderët korruptiv të rindërtimit. Vetëm rindërtimi i shkollës “Hasan Vogli” ka kushtuar 2.5 miliard lekë të vjetra pa TVSH.

/Gazeta Jonë