Kryeministri Edi Rama i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në QSUT për hernien inguinale ndërkohë që në Kuvend ka vijuar sherri.
Mësohet se Rama është shtruar mëngjesin e sotëm në spital ku raportohet se i është nënshtruar operacionit nga kirurgu Arben Gjata, teksa disa kohë më parë kreu i qeverisë iu nënshtrua një tjetër operacioni për heqjen e apendicitit.
“Në lidhje me pyetjet dhe kërkesën tuaj për informacion për ndërhyrjen kirurgjikale të Kryeministrit Edi Rama ju bëjmë me dije se:
Kryeministri Edi Rama aktualisht po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale laparoskopike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ekipi mjekësor nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata po kryen ndërhyrjen kirurgjikale të hernies inguinale.
Pas përfundimit të ndërhyrjes, Kryeministri Rama pritet të kalojë natën e sotme në mjediset spitalore të QSUNT”, njofton Kryeministria.
Në fund të gushtit kreu i shtetit paralajmëroi në fund të gushtit se do të operohet sërish për shkak të një problemi shëndetësor.
Rama tha gjatë një vizite në QSUT se do të paraqitet sërish si pacient për një ndërhyrje, për shkak të një problemi me hernien inguinale.
“Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje, kam një hernie inguinale që…i kam mësuar edhe emrin… se kësaj diskales nuk kërkoj mjek se punoj me forcat e mia, me streç dhe vetëpërmbajtje para ushqimit që të mos e rëndoj shumë me kolonën e lodhur nga basketbolli, por kësaj inguinales me sa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do të vij prapë”, tha Rama atëherë.