Leonard Luzi alias Leonard Sejno, i cili ishte organizatori dhe kishte porositur Amarildo Nikollin për të vrarë Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla është ekstraduar nga Spanja. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i caktoi Luzit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”.


47-vjeçari Leonard Luzi, i cili njihej edhe si “Daku”, u arrestua nga autoritetet spanjolle pasi ishte shpallur në kërkim për atentatin që nuk u finalizua kurrë ndaj Inez Hajrulla dhe Evis Matodashajt. Ndërsa tani, Luzi do t’i bashkohet Amarildo Xhanej Nikollit në ambientet e paraburgimit “313” në Tiranë.

“Ekstradohet nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., i cili akuzohet nga GjKKO-ja se organizoi vrasjen e 2 shtetasve në Vlorë (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë). Shtetasi L. L. alias L. S., u arrestua në Spanjë, gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi”. Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., 47 vjeç, i lindur në Vlorë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. 47-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H. Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi A.N, u arrestua para se të kryente vrasjet. Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje”, njofton policia.