Tufa me euro të vendosura në çorape dhe kokainë në mikrovalë janë zbuluar nga agjentët e antidrogës në Itali gjatë operacionit ndërkombëtar “Sammogia” ku u shkatërrua banda shqiptare.
Tre prej të arrestuarve janë kapur në Vlorë, 52-vjeçari Ladi Kalemaj, Floriant dhe Ledjon Muho, përkatësisht 38 dhe 33 vjeç.
Banda shqiptare akuzohet se bënte trafik droge nga Gjermania në Itali dhe janë mbajtur nën monitorim gjatë transportit të lëndëve narkotike.
Janë marrë 13 masa shtrënguese dhe janë hetuar gjithsej 22 persona, ndërsa gjatë hetimeve është konstatuar se shqiptarët shpërndanin kokainë në të gjithë territorin e Italisë për blerës të shumtë, bashkatdhetarë të tyre.
Organizata ishte në gjendje të siguronte edhe sasi të konsiderueshme marihuane.
Gjatë hetimeve u sekuestruan gjithsej 26.5 kg kokainë dhe 11 kg marihuanë dhe u arrestuan në flagrancë 5 persona.