Në fund të vitit të kaluar, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi me shpejtësi Unazën e Madhe, nga Shkoza deri te ish-Shqiponja.
Natyrisht, hapja u trumbetua si sukses, megjithëse ndërtimi i vetëm 13 kilometrave rrugë zgjati plot 13 vite, teksa deri më tani janë shpenzuar mbi 400 milionë euro për të gjithë Unazën e Madhe.
Por, kur më në fund rruga u hap, çuditërisht drejtori i ri i ARRSH-së, Gentian Gjyli me “bekimin” e zv.kryeministres Belinda Balluku, ka bërë shtesa kontrata, duke “shpërblyer” firmat ndërtuese.
VoxNews publikoi disa javë më parë modifikimin e kontratës së lotit 1, duke i shtyrë afatin firmës “SALILLARI” dhe duke i hapur rrugën që të përfitojë shtesë fondesh. Ndërkohë, shtesë fondi prej 1.5 milionë mori edhe loti 4,
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurën me objekt “ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”. Bëhet fjalë për një modifikim kontrate, teksa fondi që do t’i jepet firmës ndërtuese është plot 194 milionë lekë, ose rreth 2 milionë euro. Kjo shifër është në fakt 20 % e fondit limit, por jo e ofertës fituese të firmës fituese.
Në datën 6 tetor 2021, ARRSH shpalli fituesit e lotit 5, të cilët ishin firmat “G.P.G. COMPANY & SENKA”, me një objekt “ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”. Fondi limit i procedurës ishte 1.9 miliardë lekë, ose me kursin e sotëm rreth 20 milionë euro. Ofertën më të ulët e kishte firma “KEVIN CONSTRUKSION” me vlerë 1.5 miliardë, teksa fituesit ofruan 1.8 miliardë. Pra, një diferencë plot 3 milionë euro.
Në atë kohë shteti humbi 3 milionë dhe duke i shtuar vlerën e shtesës fondi shkon në plot 5 milionë. Dhe kjo vetëm për një lot, teksa me të njëjtën procedurë u veprua për të gjithë lotet e tjera.