Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ftuar këtë mbrëmje në Top Story, ka hedhur akuza ndaj institucioneve të drejtësisë dhe qeverisë, pas arrestimit të Ilir Metës me urdhër të SPAK.

Teksa fliste për Parlamentin që sipas tij kontrollohej nga Rilindja, ai iu drejtuar me fjalën “parlamenti i debilëve”, duke marrë si shembull e deklaratën e ish-deputetes së opozitës, Majlinda Halilaj, ku përdori fjalën “kërpërata”.

Pas kësaj, moderatorja e emisionit Grida Duma iu drejtua duke i thënë se kjo e fundit ishte në listën e opozitës.

Pyetjes se përse përdor këtë gjuhë, Blushi tha: “Sepse është gjuha e drejtpërdrejtë, nëse mendoni se parlamenti me 140 deputetë ishte i intelektualëve… ishte parlamenti që kontrollohej nga Rilindja dhe botërisht njihej si parlamenti i debilëve, ai ishte parlamenti i kërpëratave”.

“Po kërpërata ishte në listën e opozitës”, iu përgjigj Duma.

“Ju lutem se unë nuk ju ndërpreva, Presidentit Meta nuk i është komunikuar, as i është prezantuar se kush po e ndalon, dy prej tyre gjasme oficerë policie, janë me precedent penal, ai që e godet është i lidhur me një nga bandat më të rrezikshme të Shkodrës”, shprehet ai.

“Të gjithë tuajit kanë qenë, se thoni ‘ai parlament’, po i juaji pra ka qenë ai parlament”, tha Duma.

I pyetur për emrat e personave që ai iu referohet dhe i akuzon, Blushi tha: “Nuk dua të nxitohem me emrat, por këtë grup ne do ta nxjerrim një për një me fytyrë.”

Ai tha më tej se operacioni i arrestimit të Metës, “është filmuar me Iphone, nuk kanë pasur kamera, një operacion policor që filmojnë presidentin me Iphone”.

Blushi vijoi më tej duke i paralajmëruar se “janë në vëzhgim”.

“Ta dinë që janë në vëzhgim të gjithë. Kemi persona që i kemi identifikuar, janë në vëzhgim, dhe do u themi shqiptarëve ‘këta janë’”, tha ai.

Blushi shkoi më tej kur tha se duken që në fytyrë ata që kanë kallëzuar, duke iu referuar vetes së tij dhe Metës, dhe nga ana tjetër duken dhe ata që janë të kallëzuar, teksa këta të fundit i quajti “përdorues droge”.

“Shikojini në fytyrë kallëzuesit, shiko atë që pi drogë, atë përdoruesin e drogës, me atë që pata incidente, që del më unaza floriri, janë ordinerë moj zonjë”, tha ai.

Duke folur për prokurorët e çështjes, ai tha se “nuk janë prokurorë, por janë ordinerë”.