Einxhel Shkira ka parë një nga momentet më kritike të rrugëtimit të saj në “Big Brother VIP”.Dy muaj pas mbarimit të formatit, moderatorja ka vendosur të shohë këtë herë si publik momentin aq të bujshëm që i dha një drejtim tjetër lojës së saj.
“Pas dy muajsh mora guximin ta shoh edhe vetë”- shkruan ajo duke treguar pamjet në të cilat shfaqen edhe Donaldi dhe Beatrix.
Këta dy të fundit kanë patur një marrëdhënie shumë të ngushtë me Dagz dhe Einxhel. Mirëpo, marrëdhëniet mes Donaldit dhe Einxhel filluan të lëkunden dhe ata u kthyen papritur në kundërshtarë. Në një zinxhir që u zhvillua atë mbrëmje, Donaldi nuk zgjodhi të shpëtonte Dagz, i cili mbeti në fund të zinxhirit së bashku me Einxhel duke dalë në televotim për tu larguar më pas nga shtëpia.
Kjo nxiti debate të forta mes Einxhel dhe Donaldit. Pavarësisht qetësimit të marrëdhënieve në momente të caktuara, ata nuk arritën më që të gjenin gjuhën e përbashkët. Dy protagonistët patën edhe debatin më të ashpër të këtij edicioni.
E gjitha nisi pasi moderatorja kishte thënë në dhomën e rrëfimit se Donaldi dhe vëllai i tij Romeo janë bërë të famshëm nga të dashurat e tyre. Gjë e cila nuk u prit mirë nga aktori që u drejtua asaj me fjalë të rënda duke thënë mes të tjerash: “Je vajzë nate”.
Gjatë debatit të tyre të famshëm ata treguan edhe shkakun e zënkës së tyre kur ishin jashtë “Big Brother VIP”. Dikush dyshja ka bashkëpunuar për emisionin “Binjakët show” dhe Einxhel pretendon se e kanë larguar nga puna pa asnjë njoftim dhe nuk e kanë paguar.
Akuza këto që janë mohuar nga Donaldi i cili nga ana e tij thotë se moderatorja ka qenë jokorrekte në punë. Asokohe, debati nxiti shumë reagime dhe Einxhel deklaroi se do e ndiqte në rrugë ligjore pas daljes nga “Big Brother VIP”. Deri tani nuk dihet ende se çfarë vendimi ka marrë ajo. Pak kohë më parë në një intervistë, Einxhel tha se e ftonte publikisht Donaldin ta ndihmonte në emisionin e saj të ri duke lënë të kuptohet se i kanë lënë pas debatet.