Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, në Komisionin e Ligjeve ka deklaruar se mund të ulen taksat për kompanitë që importojnë mish nga Brazili.
Sipas Denajt skema e financimit të blegtorëve nuk do të ndryshojë pasi imponon bashkimin e operatorëve dhe rritjen e blegtorisë në vend.
Ministrja tha se ekziston një mundësi për uljen e taksave për rreth 15 kompani shqiptare që importojnë mishin nga Brazili.
“Janë 15 kompani shqiptare që tregtojnë mish importi nga subjekte të licencuara nga BE në Brazil. Kjo është garanci e produkteve cilësore. Ata kanë kërkuar uljen e taksës që të bëhen më konkurrente dhe ne po e diskutojmë. Ka kontrolle dhe certifikata sipas standardeve. Në pikat kufitare, kemi një projekt me Bankën Botërore ku do të hapen 7 pika laboratorike për të kontrolluar produktet e importit”, tha Denaj.
Pra, skemat e ministres Anila Denaj mbështesin kompani që importojnë mish nga Brazili, por nuk mbështesin fermerët në vend për rritjen e bagëtive, duke financuar në ferma.
Fermerët në Shqipëri janë ngritur në protesta prej kohësh pasi Ministria e Bujqësisë nuk ofron politika mbështetëse për ta, duke bërë që shumica e frutave apo perimeve në këtë rast, të shkojnë dëm.
Në shenjë proteste, ata shpeshherë i kanë hedhur produktet në rrugë apo në fshatra nëpër kanale.
Pra, ministrja duhet të shqyrtojë një skemë financiare kur të përfitojnë të gjithë fermerët jo vetëm për kompanitë që importojnë mish nga Brazili.