Grupi Parlamentar i PD-së ka kallëzuar këtë të hënë në SPAK, ministren për Infrastrukturën dhe Energjitikën, Belinda Ballukun, e cila mban dhe postin e zëvendëskryeministres. Kallëzimi ka të bëjë me abuzimin në lidhje me tunelin e Llogarasë, i cili ka kushtuar rreth 170 milionë euro në total.
Balluku akuzohet nga PD se në bashkëpunim dyshohet se ka kryer veprat penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”
Sipas Partisë Demokratike, projektit të tenderit të tunelit të Llogarasë iu fryn kostot me 30 milionë euro, që i shkuan një kompanie turke, e cila nuk bëri asnjë punim.
Gjithashtu, sipas PD-së, kemi të bëjmë me një fitues të përcaktuar, pas një takimi në Ankara, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, 21 ditë para rishpalljes së tenderit. Koston prej 30 milionë eurosh, PD e konsideron si dëm ndaj buxhetit të shtetit.
Tenderi u fitua fillimisht nga kompania “Gjoka Konstruksion” sh.a. me vlerën prej 140 milionë eurosh. Më pas tenderi u anulua, me qëllim sipas PD-së, për t’ia dhënë bashkimit të disa shoqërive në atë turke “INTEKAR-ASL”.
Kjo e fundit, që sipas demokratëve nuk dispononte asnjë dokumentacion të rregullt, ka caktuar më tej nënkontraktor punimesh kompaninë “Gjoka Konstruksion” sh.a. Firma në fjalë kishte fituar prokurimin e parë në garë, por u skualifikua dhe nuk bëri ankimim dhe më tej u caktua nënkontraktor.
Në një shkresë të publikuar sot për media, opozita bën me dije se ka gjetur 10 prova abuzimi me miliona euro dhe procedura fiktive të shpalljes së fituesit, më konkretisht:
1- Në datën 14.12.2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur tenderin me objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë”. Në këtë procedurë paraqiti ofertë shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë rreth 140 milionë euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vendosi anullimin e tenderit dhe “çuditërisht” shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. e skualifikuar nga gara nuk bën ankim ndaj vendimit të skualifikimit nga procedura e prokurimit.
2- Në datën 24.06.2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rishpalli tenderin me të njëjtin objekt. Në këtë garë morën pjesë pesë operatorë ekonomikë, nga ku rezulton se 4 operatorë u skualifikuan dhe vetëm Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë (BOE) INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK dhe ASL INSAAT TAAHHUT u kualifikua dhe u shpall fitues në datën 08.10.2021, me ofertë rreth 170 milionë euro. Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., nuk ka marrë pjesë në garë, ndërkohë që oferta fituese është 30 milion euro më shumë se oferta që kishte paraqitur shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. në procedurën e parë.
3- Në datën 08.11.2021, operatorët fitues të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, themeluan shoqërinë e thjeshtë “INTEKAR – ASL”. Dokumentacioni për regjistrimin e shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit është bërë nga shtetasja Rovena Dorëzi, e cila rezulton të jetë e punësuar si juriste në shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.a.
4- Nga verifikimi i pagesave nëpërmjet Degës së Thesarit Tiranë, rezulton se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer 36 pagesa, me vlerë totale rreth 170 milionë euro.
5- Punimet e nënkontraktimit janë kryer nga shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., logot dhe punonjësit e të cilës shfaqen në të gjitha inspektimet që janë kryer nga shtetasja Belinda Balluku, gjatë kryerjes së punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Përveç kësaj, nga verifikimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit shoqëria “INTEKAR – ASL” nuk rezulton të ketë asnjë licencë aktive, të cilat janë të domosdoshme për kryerjen e punimeve të ndërtimit të tunelit të Llogarasë.
6- Nga analiza e pasqyrave financiare për vitet 2021 – 2023, shoqëria ka deklaruar se ka fituar në total 23.5 milionë euro, ndërkohë që në detajimin e zërave të shpenzimeve rezulton se 97.5% – 99% janë pagesa të kryera për nënkontraktim, pra kompanisë “Gjoka Konstruksion” sh.a.
7- Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshminë publike të një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit.
8- Nga analiza e fakteve dhe të dhënave të mësipërme, del se punimet për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u kryen efektivisht nga shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., e cila kishte marrë pjesë në procedurën e parë të anulluar të prokurimit dhe kishte ofruar për ndërtimin e tunelit vlerën prej rreth 140 milionë euro. Në fakt, rezulton që shpenzimi për ndërtim u krye po me këtë vlerë, sepse shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. që bërë punimet me nënkontraktim u pagua po me këtë shumë, por në këtë rast jo drejtpërdrejtë nga Buxheti i Shtetit por përmes një ndërmjetësi që ishte kompania turke “INTEKAR – ASL”, i cila përfitojë 30 milion euro pa bërë asnjë punë.
9- Diferencë prej 30 milionë euro është “tarifë suksesi” e shoqërisë “INTEKAR – ASL”, pa kryer asnjë punë, pasi të gjitha punimet janë realizuar nga shoqëria shqiptare “Gjoka Konstruksion” sh.p.k..
10- Nga kjo skemë, mbi të cilën rëndojnë dyshime serioze për korrupsion apo abuzim me detyrën, Buxhetit të Shtetit provohet se i është shkaktuar një dëm prej të paktën 30 milionë euro, për shkak se nuk pasqyrohet ndonjë shpenzim për këtë vlerë.
Partia Demokratike konfirmon se dokumentacioni i plotë, së bashku me shkeljet përkatëse, që kanë sjell abuzimin me të paktën 30 milion euro ndaj Buxhetit të Shtetit, dhe që dyshohet se është vlera e “tarifës së korrupsionit”, i janë vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Grupi Parlamentar i PD-së ka kërkuar nga SPAK që të nisë menjëherë hetimin e plotë dhe të gjithëanshëm mbi këtë çështje dhe të vendos përpara përgjegjësisë penale zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës e Energjisë Belinda Balluku, si dhe çdo person tjetër që do të rezultojë gjatë hetimeve që ka përgjegësi penale për këtë abuzim.
Ndërkohë, vlen të theksohet fakti se detajet mbi të cilat është mbështetur Partia Demokratike për kallëzimin në SPAK, janë denoncuar në një intervistë televizive dhe nga ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili denoncoi aferën korruptive të tunelit të Llogarasë.
Ahmetaj deklaroi se tenderi i fituar nga kompania shqiptare me një vlerë 140 milionë euro u anulua pas presionit ndaj pronarit të kompanisë dhe pas takimeve në Ankara të Turqisë, i është dhënë tenderi një kompanie turke për 50 milionë euro më shumë, ndërkohë që punimet i bërish kompania shqiptare që fitoi tenderin në fillim.
Nëse kryen një verifikim nga rrjeti social i Belinda Ballukut, vihet re se takimi në Ankara është mbajtur më 3 Qershor 2021. Pjesë e takimit ka qenë edhe kryeministri Edi Rama si dhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, teksa Balluku konfirmon takimet me kompanitë aty.