Një student i armatosur hapi zjarr në Pragë duke shkaktuar një ndër tragjeditë më të rënda në historinë moderne të Çekisë moderne.
Agresori më pas u vetëvra. Sidorela Kalemi Doli, lektore e gjuhës shqipe në ‘Charls University’ të Pragës, ishte e pranishme brenda në auditoret e universitetit, në momentin kur ndodhi tragjedia.
Nga ngjarja e rëndë mbetën të vrarë 15 persona dhe mbi 30 të plagosur, sipas të dhënave të fundit të autoriteteve çeke. Pak orë pas ngjarjes që la të shokuar mbarë opinionin botëror, në një intervistë për gazetarin Reldar Dedaj në “Liberale.al”, pedagogia shqiptare në Pragë, Sidorela Kelimi Doli, tregon orët e tmerrit që përjetoi:
Sidorela, ku u ndodhët në momentin e ngjarjes?
Në momentin e ngjarjes isha në katin e tretë në dhomën 309 A me studentin nga Danimarka i cili studion për gjuhë shqipe.
Si u përjetua dhe kur ndodhi ngjarja?
Besoj diku nga ora 3 (pasdite) kemi dëgjuar krismën e parë dhe kam dalë në dritare për të parë se çfarë ndodhi. Menduam se ishte nga jashtë, ndërsa njerëzit nisën të vraponin. Ngjarja ndodhi në katin e katërt dhe ne arritëm të dëgjonim të gjitha bërtitjet e njerëzve, tërheqje bankash e karrigesh, por nuk e kuptonim se çfarë po ndodhte.
Si reaguat, për të shpëtuar?
Vendosa të hapja derën dhe të shihja se çfarë po ndodhte, ndërkohë u dëgjua një tjetër krismë. Më ka thirrur studenti të hyj brenda dhe kemi mbyllur derën me çelës. Kuptuam që po qëllohej në shkollë. Edhe ne vendosëm që të mbyllim dhe izolonim derën e zyrës me karrige e tavolina të mëdha dhe çdo gjë tjetër që kishim brenda.
Me mbërritjen e policisë, çfarë ndodhi më pas?
Zhurmat dhe bërtitjet ishin në vazhdimësi. Fillimisht studenti im Jakob donte të dilte në dritare, më pas së bashku jemi fshehur poshtë tavolinës sime të punës dhe përpara vetëm vendosëm një raft. Ndërkohë, që në dritare kalonin studentë, por u frikësuam se nuk e dinim kush ishin fillimisht. Më pas e goditën fort në derë, por kishim frikë ta hapnim. Dera e zyrës është shpërthyer nga forcat e policisë. Duhet të ishin mbi 10 të tillë. Na sugjeruan të vëmë duart në kokë dhe na shoqëruan deri poshtë. Shkallët ishin të lara në gjak dhe aty jemi trembur. Na evakuan dhe na kontrolluan me imtësi.
A ju kanë kontaktuar autoritetet shqiptare pas ngjarjes?
Na çuan në një godinë tjetër ku pushuam dhe morëm ndihmën e nevojshme. U kontaktova nga ambasadori i Shqipërisë dhe ambasadorja e Kosovës në Pragë që u shqetësuan për sigurinë tonë.