Është paralajmëruar prej kohësh rritja e pensioneve në fillim të muajit tetor. Fundjavën që lamë pas u zbardh dhe VKM për mënyrën se si do të indeksohen pensionet. Sipas vendimit të Këshillit Administrativ të ISSH, në mbledhjen e tij të datës 12.09.2024, i cili miratoi dërgimin për shqyrtim në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të projekt VKM “Për indeksimin e pensioneve”, pensionet do indeksohen 4.1% nga tetori, dhe përfitues janë 791 mijë pensionistë me një efekt në buxhet prej 1.7 miliardë lekë deri në fund të vitit.
Sa është rritja reale e pensionit?
Indeksimi dhe vlera financiare e vënë në dispozicion deri në mbyllje të vitit flasin qartë për një shifër minimale rritjeje. Me një llogaritje të mesatares aritmetike i bie që rritja të jetë 2150 lekë të reja në total për muajt Tetor, Nëntor dhe Dhjetor, ose 716 lekë / muaj për çdo pension-marrës. Por kjo është një mesatare, pasi ata që kanë pension më të madh marrin diçka më shumë, apo e kundërta për ata që kanë një pension më të vogël.
A mjafton kjo rritje me çmimet që janë në treg?
Skema e pensioneve që në vitin 1991 vijon të jetë problematike dhe për këtë çdo dhjetë vjet është hartuar një skemë e re. Edhe këtë vit qeveria në bashkëpunim me FMN dhe Bankën Botërore po hartojnë një strukturë tjetër pensionesh, që gjithsesi mund të sjellë një frymëmarrje, por mbeten pensione të ulëta krahasuar me vendet e tjera.
Normat e ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese ka sjellë ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë. Ministria e Financave ka përllogaritur që shpenzimet totale të Sigurimeve Shoqërore për këtë vit do të jenë në nivelin e 169,8 miliardë lekëve nga 159,9 miliardë vitin e shkuar.
Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë që sot kërcënon më shumë se kurrë skemën e pensioneve.
Që skema e pensioneve të mos kalojë në kolaps dhe të mos përdoret me indeksime dhe me bonuse, duke e parë në rrafshin politik (si votues), duhen parë të gjithë skemat e funksionimit dhe ekspertët sugjerojnë që të futet dhe pensioni i detyruar privat.
Por deri atëherë në Tetor pensionistët presin rritje të pensionit dhe ajo nuk do të shkojë më shumë se 716 lekë në muaj dhe kjo në varësi të pensionit aktual që marrin.