Ministria e Jashtme bën me dije se kanë nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim. Ambasadorja Kim e nisi mandatin në janar të vitit 2020 dhe tashmë pas 3 vitesh ajo do të duhet të largohet me përfundimin e tij.
MEPJ ndonëse konfirmon në këtë mënyrë largimin e diplomates së propozuar nga Donald Trump nuk jep detaje se kush do të jetë pasuesi i saj.
“Konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente”, shkruhet në njoftim.
Kush do të jetë ambasadori i ri në Tiranë
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim zhvilloi dje një takim me presidentin Bajram Begaj të cilit i komunikoi edhe përfundimin e mandatit të ambasadores Kim në Tiranë.
Pas mbarimit të mandatit të Yuri Kim, ambasada amerikane do të drejtohet nga zëvendësambasadori Demian Smith që nisi detyrën si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA në Tiranë në korrik 2021.
Smith do të jetë në detyrë derisa të emërohet nga Presidenti Joe Biden ambasadori i ri në Tiranë që sipas burimeve të Vox News nuk është një emër i panjohur për Shqipërinë.
Sipas burimeve të VoxNews, ambasadori i ri është një ekspert i çështjeve ruse dhe diplomat karriere. Së fundmi ka shërbyer në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në US Army Joint Staff.
Kush është Yuri Kim
Yuri Kim mbërriti në Tiranë si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020. Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.
Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë.
Më herët në karrierën e saj, ka qenë Ndihmëse e Posaçme e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, si dhe Ndihmëse e Posaçme e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit. Mandatet e saj jashtë SHBA përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën. Yuri Kim ka një diplomë bachelor nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit.