Që në moshë të hershme ne jemi të përgatitur për të zgjedhur një ngjyrë të preferuar, por çuditërisht ndërsa rritemi preferencat tona shpesh ndryshojnë dhe kjo është kryesisht për shkak të ndikimeve jashtë kontrollit tonë.
Në vitin 1993, prodhuesi i shkumësave “Crayola” kreu një sondazh joshkencor, por intrigues. Ai u kërkoi fëmijëve amerikanë të emërtonin ngjyrën e tyre të preferuar të shkumësave. Shumica zgjodhën një blu mjaft standarde, por tre nuanca të tjera blu gjithashtu u renditën në top listen e 10 ngjyrave të preferuara.
Shtatë vjet më vonë, firma përsëriti eksperimentin e saj. Përsëri, bluja klasike u rendit në vendin e parë, ndërsa gjashtë nuanca të tjera të blusë u shfaqën në top 10, duke përfshirë “blunë si dëbora”. Aty u bashkuan edhe një nuancë vjollce, një jeshile dhe një rozë.
Dominimi i ngjyrës blu në lista të tilla nuk e habit Lauren Labrecque, një profesoreshë e asociuar në Universitetin e Rhode Island, e cila studion efektin e ngjyrës në marketing. Ashtu si një truk festash i sponsorizuar nga Pantone, ajo shpesh do t’u kërkojë studentëve në klasat e saj të emërtojnë ngjyrën e tyre të preferuar. Pasi ata përgjigjen, ajo klikon në prezantimin e saj.
“ Duket se sapo rritemi, të gjithëve na pëlqen bluja. Duket se është ndërkulturore dhe nuk ka ndonjë ndryshim të madh – njerëzve u pëlqen bluja. Është interesante që Japonia është një nga vendet e pakta ku njerëzit e renditin të bardhën në tre ngjyrat e tyre kryesore”, tha ajo.
Zgjedhja jonë e një ngjyre të preferuar është diçka që ka tendencë të shfaqet në fëmijëri. Pyesni çdo fëmijë se cila është e tyre dhe shumica tashmë do të jenë gati të përgjigjen. Foshnjat kanë preferenca të gjera dhe mjaft të paqëndrueshme për ngjyrat , sipas hulumtimit. (Megjithatë, ata tregojnë njëfarë preference për nuancat më të lehta.) Por sa më shumë kohë kalojnë fëmijët në botë, aq më shumë fillojnë të zhvillojnë afinitete më të forta ndaj ngjyrave të caktuara, bazuar në ato me të cilat janë ekspozuar dhe ngjarjert me të cilat i lidhin. Ata kanë më shumë gjasa të lidhin ngjyrat e ndezura si portokallia, e verdha, vjollca ose roza me emocione pozitive sesa negative .
Një studim me 330 fëmijë midis 4-11 vjeç zbuloi se ata përdornin ngjyrat e tyre të preferuara kur vizatonin një personazh “të bukur” dhe kishin tendencë të përdornin të zezën kur vizatonin një personazh “të keq”. Presionet sociale – si tendenca që rrobat dhe lodrat e vajzave të jenë rozë – gjithashtu kanë një efekt të fortë në zgjedhjen e ngjyrave ndërsa fëmijët rriten.
Zakonisht besohet se ndërsa fëmijët hyjnë në vitet e tyre të adoleshencës, zgjedhjet e tyre të ngjyrave marrin një nuancë më të errët , por nuk ka shumë kërkime akademike për ta mbështetur këtë. Vajzat adoleshente në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, tërhiqen nga ngjyrat vjollcë dhe e kuqe, ndërsa djemtë preferojnë jeshilen dhe të verdhën.
Këto paleta ngjyrash duket se konvergojnë ndërsa njerëzit rriten në moshë madhore. Por pse i kemi ngjyrat e preferuara? Më e rëndësishmja, çfarë i drejton ato preferenca? E thënë thjesht, ne kemi ngjyrat e preferuara sepse kemi gjëra të preferuara.
Të paktën ky është thelbi i teorisë së valencës ekologjike, një ide e paraqitur nga Karen Schloss, një asistente profesore e psikologjisë në Universitetin e Ëisconsin-Madison në SHBA, dhe kolegët e saj. Eksperimentet e saj treguan se ngjyrat nuk janë aspak neutrale. Përkundrazi ne krijojmë arsye të larta personale për të gjetur një ngjyrë të neveritshme ose tërheqëse në proces.
“Kjo është arsyeja pse njerëz të ndryshëm kanë preferenca të ndryshme për të njëjtën ngjyrë dhe pse preferenca juaj për një ngjyrë të caktuar mund të ndryshojë me kalimin e kohës,” thotë ajo.
Ndërsa asociacionet e reja krijohen qoftë përmes ekspozimit të përditshëm në botën përreth nesh ose artificialisht me kushtëzimin e qëllimshëm, kjo mund të bëjë që ajo që ne duam të ndryshojë me kalimin e kohës.