Në një deklaratë të përbashkët sot, Departamenti i Sigurisë Kombëtare, Byroja Federale e Hetimeve, Administrata Federale e Aviacionit dhe Departamenti i Mbrojtjes thanë se gjatë javëve të fundit FBI ka marrë mbi 5 mijë raportime për dronë në disa shtete amerikane, por vetëm 100 prej tyre meritonin hetime të mëtejshme.
Pas ekzaminimeve, agjencitë vlerësojnë se bëhet fjalë për një kombinim të dronëve civilë, dronëve të zbatimit të ligjit, avionëve me pilot, helikopterëve, apo edhe yjeve në qiell që njerëzve u janë dukur si dronë. Agjencitë në fjalë shprehen se nuk kanë parë asgjë jonormale që mund të paraqesë rrezik për sigurinë kombëtare.
Ato thonë se janë identifikuar disa raste të dronëve mbi objektet ushtarake në Nju Xhersi, por shtojnë se kjo nuk është asgjë e re dhe se po bashkëpunojnë me autoritetet lokale, federale dhe shtetërore.
Megjithatë, pikëpyetjet e publikut amerikan, si dhe të disa politikanëve mbi çështjen e dronëve po vazhdojnë./gazetajone