Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra policin Nderim Cani, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë.
Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Kallëzimi i rremë”.
Siç njoftoi AMP gjykata ka vendosur më 11 Qershor masat “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për Canin.
“Ky punonjës policie, në mosrespektim të atributeve për shkak të funksionit organik, me datë 02.12.2022 ka kryer shoqërimin pa arsye të ligjshme të shtetasit Z. Z., të cilin gjatë kohës së qëndrimit në ambientet e Komisariatit, e ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike. Gjithashtu, për të manipuluar veprimet e kryera prej tij, ky punonjës policie ka depozituar kallëzim penal ndaj këtij shtetasi për “Kundërshtim të punonjësit të policisë””, njoftoi AMP