Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique është përfshirë në një skandal korrupsioni së bashku me presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales. Sipas disa audiopërgjimeve dhe dokumenteve të siguruara nga El Confidencial, futbollisti dhe Rubiales ranë dakord për t’u bërë presion autoriteteve në Arabinë Saudite për të paguar një shumë prej 24 milionë euro për të pritur Superkupën e Spanjës në vend.
Presidenti i RFEF do t’i paguante Pique një shumë prej rreth 6 milionë euro për marrëveshjen dhe u përpoq të mbulonte përfshirjen e futbollistit në kontratën me Arabinë Saudite.
Raportohet se Pique ndihmoi Rubiales të sigurojë marrëveshjen për të transferuar Superkupën e Spanjës në Arabinë Saudite, marrëveshjen që u finalizua në vitin 2019. Në atë kohë, presidenti i RFEF konfirmoi se mbrojtësi kishte ndihmuar në nisjen e negociatave përmes një kompanie të quajtur Kosmos, ku Pique është aksioner.
El Confidencial pretendon se Pique dhe Rubiales kishin qenë në diskutime që nga viti 2018.
Në një prej audio përgjimeve Rubiales i thotë Pique: “Geri urime. Dhe jo për lojën tënde të mrekullueshme, por për arritjen tënde. Marrëveshja me Arabinë Saudite është nënshkruar. Faleminderit për gjithçka. Jam këtu për çdo gjë që të nevojitet. Të përqafoj, kujdesu për veten.”
Më pas janë bërë pazare mes tyre për ndarjen e parave nga marrëveshja me Arabainë Saudite. Pique dëgjohen në përgjime duke bindur Rubiales për të vazhduar me projektin, për të cilin kishte dyshime për shkak të ofertës financiare të propozuar në gusht 2019.
“Shiko Rubi. Nëse është çështje parash, Real Madridi do pranonte 8 milion euro. Për Madridin dhe Barçën 8 milionë euro. Ndërsa për dy të tjerat mjaftojnë 2 dhe 1 milionë euro. Dhe Federata mund të marrë 6 milion euro. I bëjmë presion Arabisë Saudite për 1-2 milionë euro shtesë”, thotë në përgjime mbrojtësi.
Që kur marrëveshja u finalizua me Arabinë Saudite, Federatës Spanjolle të Futbollit i është garantuar një pagesë prej 40 milionë euro çdo vit.Përveç kësaj, paga e Rubiales është rritur gjithashtu shumëfish.
Më tej, thuhet se Pique merr një pagesë neto prej 4 milionë euro në vit përmes kompanisë së tij, Kosmos, për përfshirjen në marrëveshje.Kontrata gjithashtu parashikon që mund të anulohet në çdo kohë nëse Kosmos nuk i merr pagesat në kohën e duhur.
Para edicionit të parë të Superkupës në Saudi, Pique i tha Rubiales: “Ata thanë se do të paguajnë nesër. Puna është se ata thanë se do t’ju paguajnë vetëm ju, por… S’ka kuptim nëse nuk do të na paguanin edhe neve. Të gjithë duhet të paguhemi. Nëse nuk e bëjnë, nuk do të shkojmë. Kam nevojë për mbështetjen tuaj.”
As Pique dhe as Rubiales nuk i kanë komentuar këto zbulime tronditëse.