Banorët e Bërxullës kanë dalë në protestë sërish ditën e sotme duke kërkuar anulimin e ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar e cila dëmton banesat e tyre.

Banorët kanë dalë në tubim me fëmijët e tyre të cilët mbajnë pankarta duke mos u paraqitur në mësim duke bojkotuar sot shkollën.

“Po na vrisni të ardhmen”, “Prona është pasuria jonë”, kanë qenë disa pankarta që mbanin fëmijët në duar.

Në vendngjarje ka prani të madhe të forcave policore të cilët po ndalojnë protestuesit të dalin në rrugë pasi duan të pengojnë qarkullimin.

Nga tensionet dhe situata e rënduar psikologjike dhe emocionale një protestues ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është dërguar për ndihmë mjekësore nga oficerët e policisë.