Deputeti demokrat Ervin Salianji, ka pyetur në punimet e seancës së sotme plenare në Kuvend ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, nëse kishte dijeni për emrat e oficerëve të lartë që efektivi Jeton Lami i ka treguar Gledis Nanos.
Lami ishte punonjës i Forcës Operacionale dhe shërbente si truprojë e Ervis Martinaj, biznesmen që prej 7 gushtit është zhdukur pa gjurmë.
Më herët, është raportuar se kur u arrestua, Jeton Lami i ka rrëfyer ish-drejtorit Nano emrat e policëve që paguheshin nga mbreti i kumarit.
“Punonjësit e Policisë, përdoren si bodigard të krimit. Njëri prej tyre, me njërin që sot është i vrarë a i zhdukur. Meqë jemi këtu, a keni dijeni ju zoti ministër, që personi që shoqëronte Ervis Martinaj, ka dhënë dëshmi, duke përmendur emrat e oficerëve të lartë të Policisë që i shërbenin krimit. Nëse po, pse nuk veprohet ndaj tyre për të marrë masa? A kanë ata mbrojtje politike?
A përdoret Policia e Shtetit për t’u ruajtur krahët kriminelëve. Ish-drejtori i Policisë tha se operacioni për kapjen e të superkërkuarve ishte dekonspiruar. Kush i ka dekonspiruar? Për shkak të mosrritjes së pagave, po largohen nga Policia e Shtetit punonjësit më të mirë”, u shpreh Ervin Salianji, deputet i PD.