Prej ditësh, qytetarët që udhëtojnë drejt Elbasanit dhe juglindjes po përballen me një situatë kaotike trafiku kilometrik në hyrje të qytetit, në zonën e Bradasheshit.
Shkak për këtë kaos është mungesa e përfundimit të rrugës ashtu siç duhet, ndërsa situata rëndohet edhe më shumë nga mungesa e ndihmës së Policisë Rrugore për të lehtësuar trafikun.
Por, në vend që të ndihmojë qytetarët që presin me orë të tëra në radha të gjata, Policia Rrugore duket se po përdoret për interesa private dhe privilegje. “Gazeta Jonë” ka mësuar se sot, rreth orës 16:40, një makinë e Policisë Rrugore ka shërbyer si eskortë për një Mercedes-Benz gri E-Class, brenda të cilit udhëtonin të njohur të një drejtuesi policie.
Sipas burimeve tona, policët në makinën e eskortës kanë kërcënuar drejtuesit e automjeteve që nuk hapnin rrugën, duke përdorur autoritetin e tyre për të favorizuar personat brenda mjetit luksoz.
Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm mbetën të bllokuar në trafik, pa asnjë ndërhyrje për t’ua lehtësuar situatën.
Ky incident është vetëm një tjetër skandal që i shtohet një historie të gjatë të abuzimit me pushtetin nga ana e Policisë së Elbasanit.
Sjellja e tillë jo vetëm që cenon dinjitetin e qytetarëve, por edhe minon besimin e publikut te forcat e rendit, të cilat duhet të jenë në shërbim të të gjithëve, jo të një pakice të privilegjuar.
A do të ketë ndonjë përgjegjësi për këtë veprim skandaloz? A do të japë ndonjë shpjegim Policia e Elbasanit? Qytetarët presin përgjigje dhe mbi të gjitha, veprime konkrete për t’i dhënë fund abuzimeve të tilla.