Brenda kampit të MEK në Manzë të Durrësit, policia gjeti disa servera kompjuterash që janë përdorur për sulme kibernetike.
Nëpërmjet këtyre serverave janë kryer sulme kibernetike ndaj disa institucioneve të huaja, qëllimi i kontrollit të policisë me urdhër të SPAK dhe GJKKO, ka qenë sekuestrimi i pajisjeve.
Brenda kampit të muxhahedinëve në Manzë ato kishin krijuar një qendër hakerash me të cilën kryenin sulme kibernetik në institucionet e huaja.
Këtë shkelje të marrëveshjes me Shqipërinë e ceku edhe Ministria e Brendshme në deklaratën kur sqaroi arsyet e zhvillimit të operacionit për ndërhyrjen në kamp.
Ministria përmendi “veprime që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen”.
Operacioni nisi në orën 09:00 të mëngjesit, por kur forcat speciale kanë kërkuar gjetjen dhe sekuestrimin e kompjuterave kanë hasur në refuzimin e muxhahedinëve.
Nga përplasjet ka pasur disa të plagosur, madje iranianët pretendojnë se ka pasur një të vrarë në kamp nga gazi lotsjellës. Deri tani deklaratat janë kontradiktore dhe një grup mjekësor po ekzaminon trupin e pajetë për të nxjerrë shkaqet e vdekjes.