Arratisja e dy të burgosurve shqiptarë nga burgu rural i Kassavetia, mbrëmjen e së enjtes (2 janar 2025) ka vënë në lëvizje autoritetet greke. Protothema raporton se dy të arratisurit, Romeo Qosja dhe Lefter Toçi janë dënuar me shumë vite burgim (deri dhe me burgim të përjetshëm) për grabitje të shumta, zjarrvënie dhe anëtarësim në një organizatë kriminale me qëllim kryerjen e vrasjeve me pagesë.

Dy të burgosurit mbaheshin që nga viti 2019 në Burgjet Bujqësore, në një zonë të pa rrethuar, për shkak të sjelljes së mirë, ndërsa dhoma e tyre kontrollohej vetëm disa herë në ditë nga stafi.

Qosja, 41 vjeç nga Cërriku, i dënuar nga Gjykata e Athinës me 20 vjet heqje lirie për vrasje, grabitje, shkatërrim prone me zjarr dhe armëmbajte pa leje. Personi i dytë, Lefter Toçi, 41 vjeç nga Bradasheshi i Elbasanit, i dënuar nga Gjykata e Athinës me 20 vjet heqje lirie për pjesmarrje në organizatë kriminale, bashkëpunim në vrasje, plagosje me pasojë vdekje, grabitje, shkatërrim prone me zjarr.

Grupi shqiptaro-grek u akuzua atëherë për vrasjen e një 53-vjeçari grek në Elefsina në 12 mars 2015 dhe grabitjen e bashkëshortes së tij, grabitjen dhe vrasjen e një 75-vjeçareje greke në 6 tetor 2015 në Aspropyrgo, grabitjen e një 57-vjeçari në 10 mars 2015 në Spata, grabitjen e një 52-vjeçari dhe tentativën e grabitjes së një 75-vjeçareje në 15 gusht 2015 në Aspropyrgo, grabitjen e një çifti 52 dhe 43 vjeç në 6 tetor 2015 në Aspropyrgo dhe djegien e një automjeti në 12 mars 2015 në Glika Nera.

Të arratisurve u kishin dhënë pesë ditë pushim në vitin 2024 dhe me sa duket përfituan nga kthimi i tyre nga leja e fundit disa ditë më parë për të planifikuar dhe ekzekutuar arratisjen e tyre. Zhdukja e tyre, e cila u zbulua në orën 21:00 të së enjtes, shkaktoi mobilizimin e menjëhershëm të policisë pasi dy të arratisurit konsiderohen të rrezikshëm, për shkak të së shkuarës së tyre. Arratisja e tyre ngre pikëpyetje serioze për masat e sigurisë të vendosura në IEVP. /gazetajone