IMG_9800

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj të mund të jetojnë së bashku dhe në begati.

Në një mesazh për Presidenten Vjosa Osmani, me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Trump shprehet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, ndërsa ajo forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi.

Në mesazh, Presidenti Trump thotë se lidhjet midis popujve të të dyja vendeve janë të forta dhe se pret zgjerimin e tyre, përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë mirëqenie më të madhe për të dy vendet.

“Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vazhdim të vitit. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej në komunitetin euroatlantik”, thuhet në mesazh.

Presidenti Trump gjithashtu vlerëson në mesazhin e tij mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus.

Letra e plotë:

E nderuara zonja Presidente. Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për ju dhe popullin kosovar ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Rrugëtimi i Kosovës si komb sovran është shënuar me qëndrueshmëri dhe vendosmëri.

Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku. Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, derisa ajo i forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike nëpërmjet një mjedisi të qëndrueshëm dhe të lirë biznesi.

Shtetet e Bashkuara mezi presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin që vjen. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej me komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë.

Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një kohë për të nderuar arritjet e kaluara, si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritshme dhe lidhjeve më të thella ndërmjet kombeve tona. Popullit të Kosovës i dërgoj urimet më të mira në këtë ditë feste.