Asistenti i drejtorit të Policisë Tiranë, Sejfulla Metko, foli në “Top Talk” rreth rrezikut që të rinjtë kanë për shpërndarjen e lëndëve narkotike në shkolla.
Ai deklaroi më të rrezikuara janë gjimnazet e Tiranës, aty ku të rinjtë joshen për të nisur përdorimin e lëndëve narkotike. Njëkohësisht shpërndarësit e drogave ofrojnë në disa raste drogë falas, për të tërhequr sa më shumë persona.
“Policia ndjek në mënyrë të vazhdueshme çdo informacion për shpërndarjen e drogave pranë shkollave. Vendosja e oficerëve të sigurisë nëpër shkolla është një hap në drejtimin e duhur. Shpërndarësit e drogave i shohin si target të rinjtë nëpër gjimnazet e Tiranës. Shpërndarësit e drogave qëndrojnë pranë shkollave, por në shkollat 9-vjeçare nuk kemi pasur raste kohët e fundit. Ata kryesisht rrinë nëpër gjimnaze dhe joshin moshat e reja. Frekuentojnë lokalet që ndodhen pas gjimnazeve. Joshin të rinjtë edhe duke i ofruar lëndë narkotike falas”, tha Metko.
Njëkohësisht ai zbuloi disa nga zonat më problematike në Tiranë për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
“Zona më problematike në Tiranë janë zona e Bllokut në afërsi të lokaleve të natës, zona në afërsi të gjimnazit “Petronin Luarasi”, zona e Astirit, Ali Demit, Fresku, Don Bosko dhe së fundmi në Kamëz e Vorë”, shtoi më tej Metko.