Qazim Sejdini, kryebashkiaku socialist që drejtoi Elbasanin për tre mandate me radhë, ka ndërruar jetë në moshën 73 vjeçare.
Ai vuante nga një sëmundje e rëndë, betejën me të cilën nuk e ka fituar dot dhe ka mbyllur sytë përgjithmonë.
Pas tre mandatesh në krye të Bashkisë së Elbasanit, emri i Qazim Sejdinit nuk u vendos më në listën e votimit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.
Partia Socialiste vendosi t’a zëvendësojë kryebashkiakuan kontrovers me prefektin e qarkut të Elbasanit, Gledian Llatja.
Qazim Sejdini u kthye në një nga figurat më popullore të Elbasanit, pasi e drejtoi bashkinë për 12 vjet nga viti 2007 deri në vitin 2019, duke shënjuar rrugën e tij me nisjen e një transformimi të rëndësishëm që u pasua dhe nga kryebashkiaku i ri.
Ai e nisi karrierën politike nga posti i prefektit në vitin 2002. Më parë, Qazim Sejdini ka qenë President i Shoqatës së Doganierëve të Shqipërisë dhe president i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri.
Sëmundja e rëndë nga e cila vuante e largoi atë nga detyra publike dhe banorët e Elbasanit, të cilëve u shërbeu me devotshmëri më shumë se një dekadë.
Prej kohësh, Sejdini nuk ishte shfaqur më as në takimet e Partisë Socialiste. Mbahet mend një përshëndetje që kryeministri Edi Rama i dërgoi atij nga një tubim në qendër të qytetit, dy vite më parë.
“Dua t’i bëj një përshëndetje dikujt që për herë të parë nuk e shoh këtu në mes të nesh. Uroj të jetë sa më mirë dhe ta kemi sa më parë në takimet tona”, tha në atë kohë kryeministri Edi Rama, duke treguar mirënjohje për një nga njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Socialiste në Elbasan, por edhe bashkëpunëtor në disa fushata zgjedhore.
Pavarësisht guximit dhe kurajos së madhe madhe, fatkeqësisht sot familja ka njoftuar vdekjen e Qazim Sejdinit.
Ai ishte në gjendje të ngritje një karrierë politike si askush tjetër, mbi male akuzash politike dhe herë-herë mediatike, të influencuara nga interesa të caktuara.
Qazim Sejdini u vlerësua edhe sa ishte gjallë për hijeshinë dhe emrin që i dha qytetit, duke e rreshtuar atë krah më të mirëve të Shqipërisë.
Për vizionin dhe koherencën që tregoi gjatë drejtimit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinin e thërrisnin dhe “Lala”.
Ai nuk bëri asnjëherë dallime partiake gjatë drejtimit të qytetit, duke punuar bashkë, me të majtë dhe të djathtë, në shërbim të elbasanllinjve.