“Unë e kam zgjedhur Shqipërinë me zemër. Jam i lumtur që jam shqiptar. Jam krenar! I gëzuar që mund të jem pjesë e Kombëtares”, kështu deklaronte në pranverën e vitit 2021, Nedim Bajrami futbollisti i kombëtares, që i shënoi një gol fantastik Çekisë, duke barazuar në një ndeshje për t’u mbajtur mend në Pragë, të vlefshme për eleminatoret e kampionatit Evropian.
Por, 24 vjeçari i lindur në Zvicër nga një baba nga Tetova dhe nga një nënë prej Gostivari, nuk e ka pasur të lehtë rrugën për të mbërritur deri tek kuqezinjtë.
Ai ishte aktivizuar me skuadrat e moshave të Zvicrës, kishte shkëlqyer aty, dhe më pas nga Grasshopres kaloi drejt Italisë si mesfushor i Empolit.
Në moshen 21 vjeçare ai kontribuoi fort në ngjitjen e kësaj skuadre nga kategoria e dytë në Serie A, duke shënuar plot dhjetë gola dhe duke dhënë pothuajse po aq asiste. Në këtë pikë kulmore të karrierës së tij të re, ai duhej të bëhej gati të luante në kampionatin evropian të 21 vjeçarëve me Zvicrën me fanelën e kombëtares, të së cilës kishte zhvilluar plot 50 ndeshje me skuadrat e moshave të ndryshme.
Pikërisht ky qe momenti që në dejet e tij pulsoi gjaku i shqiptarit. Ai nuk zgjodhi të njëjtën rrugë si paraardhësit e tij Xhaka, Shaqiri apo Berhami. Ai refuzoi të mbante ngjyrat e vendit që e adoptoi.
Ai i tha “Jo” ftesës për të përfaqësuar Zvicrën në turneun evropian që do zhvillohej në Slloveni dhe Hungari. Ky lajm u prit me shumë pezm në radhët e tifozëve të “Nati”.
Gazeta e madhe “Le Temps” të Gjenevës, shkruante në mars 2021. “Një goditje e rëndë për ekipin zviceran U-21, i cili po përgatitet për të garuar në Kampionatin Evropian të Kombeve në fund të muajit: Ai nuk do të ketë më shërbimet e Nedim Bajramit, i cili kishte bërë tetë paraqitje dhe kishte shënuar një gol në dhjetë ndeshje të fazës kualifikuese. Mesfushori sulmues i Empolit nuk është i vrarë. Ai thjesht ka vendosur të veshë fanellën e Shqipërisë”.
“Bëmë përpjekje të mëdha për ta bindur Nedimin që të vazhdonte të luante për Zvicrën. Megjithatë ai na e bëri të qartë se zemra i rrihte më fort për Shqipërinë. Identifikimi është një vlerë thelbësore kur bëhet fjalë për të luajtur për ekipin kombëtar të Zvicrës. Kjo është arsyeja pse ne nuk kishim zgjidhje tjetër veçse ta linim të ikte”, deklaroi atë kohë trajneri i vet Mauro Lustrinelli.