Denoncimet e njëpasnjëshme në media për 800 ton mbetje toksike që ishin nisur për në portin e Tajlandës pa njoftuar autoritetet atje, ka zgjuar të gjitha institucionet në vend.

Ditën e sotme ka reaguar edhe Prokuroria e Durrësit, e cila me anë të një njoftimi për mediat, shprehet se ka nisur hetimet për këtë skandal.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se materialet hetimore janë dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila ka marrë informacione edhe nga denoncimet në media për këtë ngarkesë.

Më poshtë njoftimi i plotë i Prokurorisë së Durrësit:

Prokuroria e Durrësit nis hetimet për Veprën Penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara” mbi ngarkesën e nisur nga Porti i Durrësit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka regjistruar procedimin penal nr.1596,datë 16.08.2024, mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i K.Penal në lidhje me një ngarkesë të nisur nga Porti i Durrësit. 

Gjithashtu në këtë institucion, është referuar materiali hetimornga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për veprën penale “Transportimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 iKodit Penal, ku referohen informacione të marra nga media në lidhje me këtë ngarkesë për të cilën dyshohet se ka mbetje toksike. 

Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës bën me dije, se po kryhen veprime hetimore intensive në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare e partnerët ndërkombëtarë, për të sqaruar në mënyrë të shpejtë dhe të plotë të gjitha rrethanat e ngjarjes.