Prokuororia e Tiranës ka reaguar pas ndryshimit të akuzës për anëtarët e fisit Rraja, për dhunën barbare ndaj kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja, duke e bërë nga plagosje e rëndë, në plagosje të lehtë.
Në reagim, Prokuroria e Tiranës thotë se sipas ekspertizës mjeko-ligjore, të dy kushërinjve, por më tepër Jashar Majës, i janë konstatuar thyerje të kafkës së kokës, brinjëve, plagë në lëkurë, thyerje të krahëve megjithatë këto lëndime nuk kanë dëmtuar indin trunor dhe për rrjedhojë kanë qenë të pa rrezikshme për jetën.
Reagimi i Prokurorisë së Tiranës:
Reagim mbi procedimin penal në ngarkim të personave nën hetim për ngjarjen në Krujë
Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e madhe të opinionit publik për ngjarjen e datës 08.07.2023 në Krujë, si dhe publikimet e shumta në media në lidhje me këtë çështje, Prokuroria Tiranë dëshiron të informojë se:
Në datën 08.07.2023 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal Nr 5335, në ngarkim të personave nën hetim I.Rr., A.Rr., E.K., P.Rr., Xh. Rr, F. Rr, R. Rr, K. Rr. dhe E. M. për veprën penale “Plagosje të rëndë me dashje” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 88/1 e 25 të K.Penal. Personat nën hetim në fjalë, në mesditën e datës 06.07.2023, kanë sulmuar me mjete të forta shtetasit J.M. dhe B.M.
Nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor 1620, të datës 24.07.2023, mësohet se në trupin e shtetasit J.M., u konstatua plagë në lëkurën e kokës si dhe shëmbje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë mbretës, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tillë hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve që kanë sjellë si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë, në masën mbi nëntë ditë.
Ndërsa nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor 1621, të datës 24.07.2023, mësohet se në trupin e shtetasit B.M., u konstatua thyerje e kockës frontale-parietale të anës së djathtë të kokës, pa dëmtime të indit trunor, plagë në lëkurën e kokës, thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majtë si dhe shembje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë mbretës, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tillë hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve, që kanë sjellë si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë, në masën mbi nëntë ditë.
Mbështetur në kriterin mjeksor, të parashikuar në ligj, dëmtimet shtetasve J.M. dhe B. M., e klasifikojnë veprën penale të kryer ndaj tyre si, “Plagosje e lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 89 i K. Penal.
Personat nën hetim F.Rr. dhe Xh.Rr., të përfshirë në ngjarje, kanë pasur në duar edhe sende që dukeshin si armë të llojit pistoletë, të cilat i kanë përdorur si mjete për të kanosur viktimat B.M. dhe J.M., duke jua drejtuar atyre, por edhe për të goditur ata në pjesë të ndryshme të trupit. Prej tyre duket se janë konsumuar edhe elemenmtët e veprës penale të “Kanosja”, parashikuar nga neni 84 i K.Penal.
Nga ana e prokurorisë, po vijon kryerja e veprimeve të tjera procedurale në lidhje me procedimin penal në ngarkim të këtyre shtetasve.