Zbardhen provat që fundosën biznesmenin Eridion Muho, i cili dyshohet se në bashkëpunim me mikun e tij Armando Nelaj kishin organizuar planin për shkatërrimin me tritol të anijes Finikas në pronësi të Andrea Qirjakos për shkaqe konkurrence.

Në dosje hetimore thuhet se nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se Muho dhe Armando Nelaj që ndërroi jetë nga shpërthimi aksidental i minës së telekomanduar, që do të vendoste në anije, ditë përpara ngjarjes kanë përgatitur planin e tyre. Të dy ata shfaqen në dyqanin e S.Gj, ku kanë blerë pajisjet për të bërë të mundur zhytjen.

“Këto pajisje rezulton se janë përdorur nga shtetasi Armandi Nelaj ditën e ngjarjes”, thuhet në dosje.

Armandi Nelaj ishte veshur si polumbar dhe do të vinte lëndën shpërthyese në anije, por në celularin me të cilin do të aktivizohej mina mbërriti një mesazh e si pasojë e shpërthimit ai u plagos rëndë e më vonë humbi jetën.

Një tjetër detaj domethënes për hetuesit që i ka bindur për arrestimin e Muhos, është fakti se Nelaj është nisur drejt Portit nga plazhi që ka në pronësi babai i të arrestuarit.

“Armandi Nelaj ka zgjedhur që nisjen drejt portit ta kryejë pikërisht nga plazhi “Copacabana”, plazh i cili ndodhet përpara hotelit në pronësi të babait të personit nën hetim dhe farmacisë së bashkëshortes së këtij të fundit. Është zgjedhur pikërisht kjo vendodhje me qëllim që mos të përftoheshin pamje filmike të qarta në lidhje me veprimtarinë e tyre”, thuhet në dosje.

Pas vdekjes aksidentale të mikut të tij Nelaj, Muho që tashmë ndodhet në masë sigurisë “arrest me burg” ka tentuar të fshehë provat. Konkretisht ai ka ndryshuar DVR e kamerave të sigurisë së farmacisë së bashkëshortes, “Pozicioni i farmacisë, referuar akteve, rezulton të jetë pikërisht në hyrjen e plazhit “Copacabana””, theksohet në dokumenti.

I dyshuari po ashtu ka ndryshuar edhe telefononin disa ditë pas ngjarjes.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve për të fshehur gjurmët, rezulton nga pamjet filmike të kamerave të subjkteve të tjera, se Muho dhe Nelaj dy ditë para se të ndodhte ngjarja kanë çuar sëbshku varkën pranë subjektit “Copacabana”. Këtë fakt e kanë pranuar dhe punonjës të plazhit të cilët kanë deklaruar se i kanë ndihmuar ata.

Lidhur me faktin se në shënjestër për tu shkatërruar për shkaqe konkurrence ishte anija Finikas në pronësi të Andrea Qirjakos, hetuesit kanë arritur në këtë konkluzion se se shpërthimi ka ndodhur në afërsi të Portit të Sarandë, pikërisht ku ishte e ankoruara dhe anija e këtij të fundit. Po ashtu hetuesit ndalen dhe tek deklarimet e Qirjakos që ka rrëfyer për një konflikt të hershëm mes tij dhe Eridion Muhos.

Ky i fundit u arrestua më shumë se dy muaj pas ngjarjes dhe ndodhet në paraburgim. Ai dyshohet se bashkë me Armandi Nelaj do të shkatërronin me eksploziv anijen Finikas për shkaqe konkurrence. 52-vjecari Nelaj mbeti i vrarë me 24 qershor 2024 nga shpërthimi aksidental i minës së telekomanduar. VNA