Nëse mediat nuk do të kishin raportuar me instistim prapaskenat e një sherri në dukje aq banal të ndodhur në Palasë, gjithçka do të ishte mbyllur me shpalljen në kërkim të Xhoni Spahos (që mund të ishte bërë dhe deputet), të cilit as emri nuk do t’i bëhej publik dhe me siguri do ta ‘kopsiste’ çështjen përmes avokatëve në distancë, siç jemi mësuar rëndomtë të dëgjojmë.
“Buja” ndoshta do të dëgjohej kur i plagosuri Luçiano (Turi) Koçeku do të dilte nga spitali dhe do të kërkonte llogari për dëmin që i ishte shkaktuar.
Ardhja e Konstantinos Argiros në lokalin e natës “Sin” në Green Coast mblodhi të gjithë dashamirësit e muzikës greke.
Një natë pasi mbajti koncertin në stadiumin “Dinamo”, ylli i “Athina mou” zbarkoi në Jug të Shqipërisë për të kënaqur dhe një tjetër sërë dëgjuesish të muzikës së tij. Mbrëmjen e 24 gushtit dhe në të gdhirë të 25 gushtit, në këtë lokal ishin dhe Luçiano (Turi) Koçeku, Fatmir Beja, Xhoni Spaho, Genti Baleci, Klajdi Cerri si dhe Fatbardh Aliaj.
Të ndarë në dy kampe, ata po festonin nën ritmet e muzikës greke, por lagia me shampanjë e njërit prej tyre, ka bërë që të nxitet një sherr masiv.
Nga përfundimi dhe emrat e përmendur mund të dilet në përfundimin se shampanja ka qenë dhe thjesht preteksi për të pasur një përplasje mes grupeve, ngjarje nga ku dolën dy të dëmtuar, Turi Luçiano Koçeku dhe Fatbardh Aliu.
Njoftimi i parë është bërë në një përmbledhje raportimi nga Drejtoria e Policisë Vlorë dhe në një rresht është përmendur shpallja në kërkim e 28-vjeçarit Spaho.
Njoftimi i parë:
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin V. K., 26 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis. Komisariati i Policisë Vlorë referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin A. D., 46 vjeç, banues në Vlorë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi A. H., se 46-vjeçari i ka dëmtuar me zjarr disa pemë ulliri dhe bimë frutore. Komisariati i Policisë Himarë referoi materiale në Prokurori dhe punohet për kapjen e shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Palasë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin L. K., 42 vjeç. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i dytë erdhi këtë mëngjes, në orën 09:14, vetëm pasi në media ishte shpërndarë videoja e sherrit, ku dallohej një person që binte në tokë dhe të tjerët që përlesheshin. Tashmë ky lajm nuk mund të mbetej sekret!
Njoftimi i dytë:
Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e djeshme për shpalljen në kërkim të shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se më datë 26.08.2024, në fshatin Palasë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin L. K., 42 vjeç, ju bëjmë me dije se: Në vijim të hetimeve të kryera nga grupi hetimor dhe këqyrja e pamjeve filmike, një pjesë e pamjeve janë bërë publike në rrjete sociale dhe në disa media, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një tjetër shtetas që dyshohet se është përfshirë në këtë konflikt, shtetasi G. B., 49 vjeç, banues në Durrës. Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S. dhe G. B. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt. Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
Në mesditë, Zëri publikoi të gjithë zanafillën e sherrit me të gjithë emrat e përfshirë. Policia zbuloi dhe një tjetër të përfshirë, Klajdi Cerri.
Njoftimi final:
Në vijim të njoftimeve të dhëna më datë 26.08.2024 dhe 27.08.2024, për një konflikt fizik të ndodhur në ambientet e një kompleksi në fshatin Palasë, ju informojmë se: Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin e ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit të datës 25.08.2024, në ambientet e një kompleksi, në fshatin Palasë. Pas këqyrjes së kamerave dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i 2 personave të tjerë dhe shpallja në kërkim e tyre, konkretisht e shtetasve: F. B., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. C., 32 vjeç, banues në Tiranë. Më herët, policia ka shpallur në kërkim shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, dhe G. B., 49 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu, nga veprimet hetimore është bërë i mundur edhe identifikimi i një tjetër shtetasi, i cili ka mbetur i dëmtuar në këtë konflikt për motive të dobëta, konkretisht shtetasi F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë. Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S., G. B., F. B., dhe K. C. Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
Zyrtarisht, në njoftimin më të fundit, Policia e Vlorës, edhe pse me iniciale, na zbulon të gjithë të përfshirët në këtë sherr.
Por, dicka çalon sërish…DATA!
Në njoftimin e dytë, thuhet që ngjarja ka ndodhur në datën 26 gusht, ndërsa në njoftimin final thuhet data 25 dhe praktikisht pranohet se është përgjakur mbrëmja kur ishte i ftuar në Sin këngëtari grek, Konstantinos Argiros.
Panorama e kësaj ngjarjeje e tregon mjaft qartë si kristali që nëse media nuk do të ketë burimet e saj dhe nuk do të jetë një hap para autoriteteve, shumë ngjarje i mbulon pluhuri!
Pyetja është: Drejtoria e Policisë Vlorë fshehu për 16 orë emrat e Turi Koçekut dhe Fatmir Bejos, aktorët kryesorë të sherrit? A u fshehen për të mos i prishur punë Greem Coastit apo nga frika se zbulohej se Fatmir Bejo festonte teksa ishte në kërkim ? Apo fshihet diçka më e madhe?