Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut të mërkurën vendosi ta shtyjë seancën për vlerësimin e ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve për një datë të pacaktuar. Pritet që gjykatësja raportuese, Elizabeta Dukovska, të paraqesë një listë me çështjet më të kontestuara dhe me emrat e juristëve më të njohur në vend, të cilët do të ftohen për të dhënë mendimet e tyre. Propozimi për shtyrje erdhi pikërisht nga gjykatësja Dukovska, si dhe gjykatësi turk, Fatmir Skender, pasi në seancë munguan dy gjykatësit shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, duke e bojkototuar kështu procesin.

Propozimi u mbështet nga të gjithë gjykatësit, përfshirë dhe kryetarin Darko Kostadinovski. E vetmja që kundërshtoi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare. Nëpërmjet bojkotit, Kadriu dhe Ajdari synuan të bllokojnë nisjen e procedurës për këtë ligj. Si Kadriu dhe Ajdari, më vonë edhe Skenderi, e lëshoi seancën.Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, në konferencën për shtyp, njoftoi se seanca përgatitore mund të mbahet në fillim të muajit mars 2025.

“Kjo gjykatë do të marrë vendimin për këtë çështje, ndaj askush të mos ketë dyshime”, tha ai.

Ai shtoi se shtyrja e seancës nuk duhet të kuptohet si dobësi.

Thashë edhe në seancë, ne vazhdojmë me veprimin për atë lëndë. Është lënda më e vjetër në këtë gjykatë, më tepër se 5 vjet. Vendimi i sotëm duhet të interpretohet si akt i lartë i qasjes së përgjegjshme dhe respekt e obligim ndaj qytetarëve, të mos lejojmë të manipulohen dhe gënjehen nga politikanët”, tha të mërkurë Kostadinovski.

Bojkotin nga ana e gjyqtarëve shqiptarë e kishte përmendur më herët, edhe zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, që vjen nga radhët e koalicionit shqiptarë VLEN, pjesë e qeverisë. Të njëjtin qëndrim, më pas e mbështetën edhe zyrtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë. Ndërkohë, jashtë objektit të gjykatës, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe udhëheqësi i Frontit Evropian, Ali Ahmeti, i rrethuar nga një numër i madh qytetarësh dhe simpatizantësh partiakë, deklaroi se data 11 dhjetor 2024 i rikujton periudhën e vitit 1989, kur, sipas tij, “Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës”.

“Të punojmë së bashku. Ne kurrë nuk e kemi kontestuar gjuhën apo kulturën e tyre (të maqedonasve). Gjithmonë kemi qenë përkrah tyre, duke kërkuar mënyra për të mbrojtur së bashku vlerat tona dhe ato të bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Në fund të fundit, jetojmë nën të njëjtin qiell dhe na ngroh i njëjti diell. Ne dëshirojmë që vendi ynë të jetë në paqe dhe i integruar në Bashkimin Evropian”, tha Ahmeti, duke shtuar se paqja nuk duhet të cenohet dhe vendimet e Kushtetueses nuk duhet të merren në mënyrë të njëanshme.

Pas vendimit të Kushtetuteses, Ahmeti tha se vendimi më i arsyeshëm do të kishte qenë “mbyllja e 13 nismave, duke përfunduar, gjithçka këtu”. BDI-ja edhe më herët ka shprehur shqetësim se nëse neni 23, paragrafi 5 i Ligjit për gjuhët abrogohet, atëherë ai mund të bëhet i pazbatueshëm. Në anën tjetër, krerët e koalicionit VLEN, përshëndetën vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se ky shtet “po ecën përpara”.

“Gjuha shqipe nuk u ndalua. Ligji për gjuhën shqipe nuk u abrogua. Lista e zezë për korrupsion u konfirmua. Rrini rahat. Qeveria punon”, shkroi Mexhiti të mërkurën në facebook.

“VLEN kujdeset për shqiptarët! Është koha e përgjegjësisë tani!”, ka shkruar Bilall Kasami.

Kurse, Lidhja Socialdemokarte (LSDM) tha se duhet të marrë vendime të bazuara në ligje, të jenë transparente, dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke shmangur çdo presion apo ndikim politik.

“Ne dënojmë fuqishëm politizimin dhe manipulimin e çështjeve të ndjeshme, të cilat kanë potencial të prishin stabilitetin e shtetit dhe të sfidojnë bashkëjetesën. Kjo praktikë e nxitjes së tensioneve, siç e kemi parë nga disa aktorë politikë, nuk kontribuon në zgjidhjen e problemeve, por përkundrazi i thellon ato”, thuhet në komunikatën e LSDM.

Çfarë është ligji për përdorimin e gjuhëve?

Ligji për përdorimin e gjuhëve përbëhet nga 25 nene. Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, Ligji për gjuhët u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo të përmbajtur. Ndryshimet kryesore që solli ligji i ri ishin: “përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore”.

Njohësi i çështjeve juridike dhe profesor i Kushtetueses, Jeton Shasivari, thekson se Gjykata Kushtetuese vendosi të thërrasë një seancë përgatitore, duke u bazuar në nenin 40 të Aktit të Gjykatës, e cila synon të sqarojë gjendjen faktike dhe juridike të lëndës së Ligjit të gjuhëve.

“Janë me rëndësi dy gjëra: e para, në seancën e sotme nuk ka vendim meritor gjyqësor për Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe e dyta, nuk ka vendim për hapjen e procedurës”.

Shasivari, për Radion Evropa e Lirë vlerëson se Kushtetuesja reflektoi ndaj gjithë situatës që paraprakisht u krijua dhe ky veprim i sotëm, siç thotë “është në interes të vendimmarrjes së drejtë, etnikisht neutrale, legjitime, dhe të paanshme për Ligjin e përdorimit të gjuhëve”.

“Këtë përfundim e nxjerri nga fakti se Gjykata Kushtetuese, në mars të vitit 2021, ka mbajtur tashmë një seancë përgatitore për këtë lëndë (Ligjin për përdorimin e gjuhëve), por është evidente se gjykata ende ka nevojë për përgatitje plotësuese në aspektin shkencor dhe profesional, përpara se të vendosë përfundimisht për çështjen e kushtetutshmërisë së këtij ligji”, thotë Shasivari.

Pas miratimit, ligji u kundërshtua nga 13 iniciativa të paraqitura nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme. Në lidhje me këtë, Shasivari shprehet se është i bindur që këto kontestime “do të refuzohen”.

“Për shkak se janë miratuar në pajtim me procedurën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit. Bindja ime profesionale është se Ligji për përdorimin e gjuhëve, në tërësi, si ligj, ka bazë kushtetuese në amandamentin V të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, të vitit 2001”, thotë ai.

Ç’ka po kontestohet?

Shasivari gjithashtu sqaron se mosnënshkrimi i dekretit nga ish-presidenti Gjorgje Ivanov nuk është një pengesë për hyrjen në fuqi të ligjit, duke theksuar se veprimi i tillë nuk ka ndikuar në ligjshmërinë e këtij procesi.

“Në anën tjetër, kontestimet materiali të këtij ligji, kanë të bëjnë më tepër me çështje të redaktimi gjuhësor, të disa dispozitave, brenda ligjit, por edhe me zbatimin praktik të atyre dispozitave. Pasi qëllimi i çdo ligji është që të zbatohet në praktik, e që është në interes të qytetarëv, në këtë rast të gjuhë shqipe dhe alfabetit të saj”, përfundon Shasivari.

Në mesin e13 iniciativat që kundërshtonin Ligjin e gjuhëve, ishte edhe partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, e cila në atë kohë ishte në opozitë dhe ishte angazhuar se do të bënte “korrigjime” pasi të kthehej në pushtet. Megjithëse VMRO DPMNE-ja e kontestonte thuajse çdo aspekt, që nga mënyra e miratimit të ligjit deri te përmbajtja e tij, tani kryeministri Hristijan Mickoski, i cili vjen nga kjo parti, thekson se “nuk do të ndodhë asgjë”. Ndonëse më herë Mickoski kishte thënë se nuk po kontestohet i gjithë ligji, por “vetëm dy a tri dispozita”, tani. ditë më parë apeloi tek qytetarët që të jenë të qetë. Dhe siguroi se situata është “nën kontroll”. Rrjedhimisht, nenet apo pjesët e neneve për të cilat propozohet nisja e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë, janë gjithashtu pjesë e vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Në vitin 2019, Komisioni i Venecias kishte dhënë vlerësim për Ligjin për gjuhët, duke thënë se disa dispozita të tij tejkalonin standardet ndërkombëtare për gjuhët rajonale dhe të pakicave. Rishikimin e dispozitave për dygjuhësinë në procedurat gjyqësore, duke rekomanduar që këto përcaktime të hiqen ose të kufizohen, për shkak të vështirësive teknike dhe administrative që mund të shkaktojnë. Masa për zbatimin efikas të kërkesave gjuhësore, bazuar në dispozitat e Ligjit të mëparshëm të vitit 2008, për të garantuar zbatueshmërinë e tyre pa krijuar konfuzione, ndonëse ai, sipas njohësve të drejtësisë, përfshinte një interpretim të ngushtë.

Revidimin e nenit 3 të Ligjit për gjuhët, i cili parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimet institucionale dhe fusha të tjera, duke kërkuar një përcaktim më të qartë të fushës së zbatimit për të shmangur keqkuptimet dhe konfliktet në praktikë. Ligji për përdorimin e gjuhëve ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese. Balancuesi, tashmë i shfuqizuar, dhe Ligji i gjuhëve u përfshinë në rendin e ditës pak muaj pasi VMRO DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut.

Akademikët shqiptar me letër ndaj Kushtetueses

Ngjashëm sikurse 13 inicativat e lartpërmendura, mbi 250 intelektualë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapur, cila i drejtohet Gjykatës Kushtetuese që të veprojë me profesionalizëm dhe jo me vendime të motivuara politikisht, sepse, siç thuhet, “vendimet arbitrare mund të sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike”.

Ata përkujtojnë se e kaluara e punës së Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar “tensione dhe pakënaqësi, sa herë që ka marrë vendime të njëanshme dhe arbitrare, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike dhe kanë cenuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi, të realizuara përmes rrugëve institucionale”.

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese. Balancuesi, tashmë i shfuqizuar, dhe Ligji i gjuhëve u përfshinë në rendin e ditës pak muaj pasi VMRO DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut./REL