Policia ka zbuluar të tjera detaje lidhur me vrasjen e 30-vjeçarit Kristian Marku i cili u qëllua për vdekje në autostradën Fier-Vlorë. Sipas burimeve zyrtare, Marku kishte qenë në Tiranë para se të nisej drejt Vlorës, ku dyshohet se kishte planifikuar një takim.
Mësohet se viktima ka një lidhje familjare në qytetin e Vlorës, konkretisht vjehrrin e tij, por ende nuk është konfirmuar nëse qëllimi i udhëtimit të tij ishte për të takuar atë apo dikë tjetër.
Ndërkohë, hetuesit kanë zbuluar se targat e automjetit të përdorur nga Marku ishin të vjedhura disa ditë më parë po në Vlorë. Targat i përkasin një automjeti privat në pronësi të një oficeri policie. Ende nuk është sqaruar se si kanë përfunduar targat në makinën e viktimës dhe ku është realizuar vjedhja e tyre, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar edhe origjinën e automjetit Volkswagen të përdorur nga 30-vjeçari.
Autoritetet po analizojnë gjithashtu kamerat e sigurisë përgjatë rrugës nga Tirana deri në Vlorë, për të rindërtuar lëvizjet e viktimës dhe për të identifikuar ndonjë person tjetër të përfshirë.
Këto zbulime shtojnë misterin rreth ekzekutimit të Markut, i cili pas të shtënave me armë kishte tentuar të largohej me automjetin e tij përpara se plumbat të rezultonin fatalë. Pista e një përplasjeje të mëparshme kriminale apo hakmarrjeje mbetet në qendër të hetimeve. /gazetajone