Autoriteti francez për kontrollin e niveleve të rrezatimit, ka ndaluar shitjet e telefonit iPhone 12 të kompanisë Apple, pas testeve që sipas saj tregojnë se i kishte shkelur kufijtë e lejuar në Evropë të ekspozimit ndaj rrezatimit.
Agjencia Kombëtare e Frekuencave (ANFR) tha të martën se shkalla e rrezatimit nga ky model, ishte më e lartë nga sa përcakton ligji.
Jean-Noel Barrot, ministri francez për ekonominë dixhitale, i tha gazetës Le Parisien se një përmirësim i softuerit mund ta zgjidhë problemin. Nëse Apple nuk e zgjidh problemin, ANFR tha se do të urdhëronte një tërheqje të të gjithë telefonave të këtij modeli nga e gjithë Franca.
Firma Apple i kundërshton përfundimet e ANFR-së, duke thënë se shumë organe ndërkombëtare kanë përcaktuar se iPhone 12 është në përputhje me standardet globale të rrezatimit.
ÇFARË DO TË THOTË TEJKALIMI I KUFIJVE TË RREZATIMIT
Niveli standard i thithjes së rrezatimit shprehet në vat për kilogram të peshës trupore. Rrezatimi nga telefonat celularë shkaktohet nga fusha elektromagnetike pranë aparatit që krijohet nga radiofrekuencat përmes të cilave transmetohet sinjalin.
Ndryshe nga ekspozimi ndaj rrezeve X, ose gama – që shkaktojnë mbetjet radioaktive – rrezatimi i lëshuar nga telefonat celularë nuk arrin të shpërbëjë lidhjet kimike ose të ndryshojë qelizat e trupit të njeriut.
ÇFARË KA IDENTIFIKUAR ANFR?
ANFR tha se kohët e fundit ka kryer testimet e 141 telefonave, përfshirë disa të modelit iPhone 12, të blerë në dyqane. Në provat e pavarura laboratorike, dy pajisje iPhone 12 nuk ishin në përputhje me standardet e BE-së, tha zyra e Ministrit Dixhital për agjencinë Reuters.
Si rezultat i kontrollit të nivelit të rrezatimit të telefonave inteligjentë, janë bërë deri tani 42 ndalime të shitjeve në vend, tha ministri.
SA E LARTË ËSHTË RREZIKSHMËRIA?
Problemi kryesor i shkaktuar nga rrezatimi pa jonizim nga telefoni, është ngrohja e indeve të trupit. Kur rrezatimi e tejkalon nivelin e përcaktuar dhe në varësi të kohëzgjatjes së ekspozimit, kjo mund të shkaktojë efekte si djegie, ose trullosje nga nxehtësia, sipas Komisionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jo-jonizues (ICNIRP), një organ që përcakton nivelet në shkallë globale.
ANFR tha se laboratorët kishin gjetur një nivel rrezatimi prej 5.74 vat për kilogram gjatë testeve të iPhone 12-ës në duart ose xhepat e përdoruesve.
Standardi i BE-së është 4.0 vat për kilogram. Megjithatë, kjo nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin e njeriut, tha kryetari i ICNIRP-it, Profesor Rodney Croft.
OBSH-ja dhe organe të tjera ndërkombëtare të shëndetësisë thonë se nuk ka prova përfundimtare sipas së cilave rrezatimi nga telefonat celularë shkakton efekte të tjera negative shëndetësore. Megjithatë, ajo ka bërë thirrje për kërkime të mëtejshme.
Në vitin 2011, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) e klasifikoi rrezatimin nga telefonat celularë si “ndoshta kancerogjen”, ose të kategorisë 2B. Ky emërtim përdoret kur agjencia nuk mund të përjashtojë një lidhje të mundshme.
Agjencia tha se kishte prova “të kufizuara” të një rreziku në rritje për tumore në tru tek disa, por jo të gjithë përdoruesit, veçanërisht tek ata që e përdorin shumë telefonin, por shtoi se nuk mund të përjashtonte gabime tek të dhënat, çka do të thotë nuk mund të jepet një përgjigje përfundimtare.
SI KA REAGUAR APPLE?
ANFR ka thënë se një përmirësim i softuerit duhet të jetë i mjaftueshëm për të zgjidhur problemin. Me fjalë të thjeshta, kjo ndodh sepse softueri – aplikacionet, programet dhe informacione të tjera operative në një pajisje – ndikojnë tek mënyra se si funksionon telefoni.
Pra, një përditësim i softuerit duhet të jetë i mjaftueshëm për të reduktuar ekspozimin e përdoruesve të iPhone 12.
Megjithatë, Apple i ka hedhur poshtë përfundimet e agjencisë. Kompania tha se i kishte ofruar ANFR-së rezultate të shumta të laboratorit të saj dhe të palëve të treta të pavarura, që vërtetojnë se niveli i rrezatimit është në përputhje me të gjitha rregulloret dhe standardet botërore. Apple tha se do t’i kundërshtojë rezultatet e ANFR-së dhe do të vazhdojë të angazhohet me agjencinë për të treguar se është në përputhje me normat.
A DO TË KETË NDALIME TË TJERA?
ANFR tha se iPhone 12 nuk i përmbush standardet e Bashkimit Evropian, duke ngritur pikëpyetje nëse do të ndërmerren edhe ndalime të tjera të shitjeve të këtij modeli. ANFR do t’ua përcjellë gjetjet e saj rregullatorëve në shtetet e tjera anëtare të BE-së.
Ndërsa mbetet e paqartë nëse po bëhen hetime nga autoritete të tjera, Zyra Federale e Gjermanisë për Mbrojtjen nga Rrezatimi tha të mërkurën se “çështja e nevojës për ndryshim është aktualisht objekt diskutimi”.
Dhe një e përditshme holandeze njofton se autoriteti përkatës i këtij vendi për nivelet e rrezatimit po analizon raportin e ANFR-së dhe do t’i kërkojë shpjegime kompanisë Apple.