Fshati Qerekë nuk u zgjidh në mënyrë rastësore. Kjo zonë ndodhet mes aeroportit “Nënë Tereza” dhe Portit të Durrësit, që e bënte më të thjeshtë transportimin e materialeve në vilën e kthyer në laborator kokaine, ku dhe do të bëhej përpunimi i lëndës narkotike. Gjithashtu, grupi i ka kushtuar rëndësi edhe një tjetër detaji, duke qenë se Qereka është shumë pranë aeroportit, është një zonë që nuk monitorohet dot me dronë nga autoritetet.
Në pranga janë vënë: Endi Sejdini, Artion Çaushllari, Geis Sejfullai, Klajdi Birçe, Aldi Zonja dhe Ismail Abdurrahmani. Të arrestuar kanë qenë edhe tre të huaj, që ishin ‘kimistët’ e grupit, Hiëlen Ledezma Narvaes nga Kolumbia, Joze Ramon Vasques nga Venezuela dhe Samuel Moreno nga Venezuela.
Sipas Prokurorisë së Posaçme në më shumë se 1 vit hetime është zbuluar se grupi bashkëpunonte me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar drogë në Shqipëri. Ndryshe nga droga e fshehur në fruta, kokaina e këtij grupi vinte e kamufluar në “lëkurë gjedhi të kriposur”. Në Shqipëri përpunohej duke e kthyer në gjendjen e saj fillestare për ta transportuar më pas në vendet e Bashkimit Europian.