
Një ditë pas sulmit me armë ndaj CFO Pharma, Nadir Causholli ka reaguar përmes një postimi në Facebook. Ai ka theksuar se policia po heton për të identifikuar autorët, por nuk ka komentuar për ta. Në vend të kësaj, ai ka kritikuar ashpër mediat për mënyrën e raportimit të ngjarjes.
Causholli mohon pretendimet se sulmi lidhet me borxhe të pashlyera nga fajdet, duke e quajtur dezinformim. “Mos i vrisni njerëzit për së dyti,” shkruan ai, duke e cilësuar si shpifje raportimin e disa mediave se ai kishte marrë 20 milionë euro fajde.
Një ditë më parë, mediat raportuan se ai kishte marrë 13 milionë euro fajde nga Ervis Martinaj dhe 7 milionë euro nga Emiljano Shullazi. Causholli i ka mohuar këto lajme dhe ka akuzuar portale për shpifje dhe përhapje të informacionit të rremë.
Sipas tij, përveç sulmit fizik, ai po përjeton edhe një “sulm mediatik” nga portale që, sipas tij, fabrikojnë lajme për klikime dhe përfitime financiare. “Nuk mjaftojnë plumbat fizikë ndaj kompanisë sime, por duhet të përballem edhe me shpifjet e mediave,” shkruan ai.
Causholli shpreh shqetësim mbi gjobëvënien që, sipas tij, nuk bëhet vetëm nga grupe kriminale, por edhe nga disa media online që kërkojnë para për të mos publikuar apo për të fshirë lajme. /gazetajone