Një mandat i mbetur pezull mes Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese dhe tre dosje nën hetim nga SPAK-u për “shpërdorim detyre”.
Kjo është gjendja politike dhe gjyqësore me të cilat përballet prej rreth dy vitesh deputetja Olta Xhaçka, një prej bashkëpunëtoreve më të ngushta të Kryeministrit Rama.
Ajo akuzohet se gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes ka firmosur privatizimin e pronave të ushtrisë, ndërsa gjatë drejtimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme ka ushtruar fuqinë e saj politike që bashkëshorti i vet, Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste, të përfitojë statusin e “investitorit strategjik” për të ndërtuar në një truall prej 10 mijë metrash katrorë në bregdetin e Dhërmiut.
Për këtë dosje, opozita kërkoi heqjen e mandatit parlamentar të Xhaçkës dhe dërgoi rastin në Gjykatën Kushtetuese.
Dosja e dytë për të cilën po heton SPAK-u lidhet me bazën detare të Limionit në Sarandë, kallëzimi penal mbi të cilën u depozitua pranë Prokurorisë së Posaçme nga ish-zëvendëskomandant i Forcës Detare në ushtrinë shqiptare, Artur Meçollari.
Ai akuzoi ish-ministren e Mbrojtjes së asaj kohe, Olta Xhaçka dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku, se në mënyrë të kundraligjshme kishin dhënë me qira bazën detare të Limionit.
Padia e tretë, e cila duket se i ka hapur rrugë padive ndaj Xhaçkës në SPAK, është ajo e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, i cili denoncoi shpërdorimin e fondeve publike nga Xhaçka në kohën kur ajo ishte drejtuese politike e qarkut Dibër, gjatë së cilës udhëtonte çdo javë me helikopterët e ushtrisë, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej afro gjysmë milioni euro në vit.
Beteja ligjore për heqjen e mandatit
Prej rreth dy vitesh, ish-ministrja Olta Xhaçka ka mundur të mbajë mandatin e deputetes duke përfituar nga procedurat ligjore mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese.
Gjithçka nisi në vjeshtën e vitit 2022, kohë kur në gjykatë u depozituan dy kërkesa të ndryshme nga opozita: njëra kërkesë ishte dorëzuar nga grupimi i demokratëve të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj dhe tjetra nga grupimi pro Berishës.
Pavarësisht konfliktit të brendshëm politik brenda partisë më të madhe të opozitës, heqja e mandatit të Xhaçkës ishte prioritare për të dyja palët, pasi ato pretendonin se bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, kishte përfituar nga pasuria shtetërore.
Teksa kërkesa e grupit të parë u pranua, ajo e pjesës tjetër, e cila kërkonte nga gjykata dhe “konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës”, u rrëzua vetëm pak muaj më pas, në janar 2023.
Gjykata Kushtetuese argumentoi se mund të vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të parlamentit.
Në prillin e atij viti, 72 deputetë të mazhorancës qeverisëse votuan kundër heqjes së mandatit të Xhaçkës, kundrejt 39 votave pro të opozitës.
Vota e socialistëve u argumentua me faktin se pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, deputetët, sipas Kushtetutës, janë të lirë në vendimmarjen e tyre.
Pak ditë më pas parlamenti kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që t’i drejtohej Komisionit të Venecias për të sqaruar ndër të tjera se “bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar? Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputetit?”
Kërkesa për të përfshirë Komisionin e Venecias në këtë situatë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese më 10 korrik. Në një dalje publike, kryetarja e gjykatës, Holta Zaçaj, theksoi se vendimi i gjykatës ishte shumë i qartë. “Askush nuk mund të vendosë të mos ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Fuqia e vendimeve të saj është e barabartë me fuqinë e ligjit. Të mos zbatosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese do të thotë të mos zbatosh kushtetutën dhe ligjin”.
Dosja gjyqësore për të cilën u kërkua heqja e mandatit, u hap rreth dy vite më parë në SPAK-u, kur deputetja Xhaçka dhe bashkëshorti i saj Artan Gaçi u thirrën disa herë për t’u pyetur në lidhje me një truall prej 10 mijë metrash katrorë – pronë e vënë nën sekuestro nga Gjykata e Posaçme – mbi të cilin Gaçi do të ndërtonte një resort luksoz në bregdetin e Jugut.
Trualli i blerë nga ish-deputeti socialist Gaçi prej personave privatë rezulton të jetë përfituar prej këtyre të fundit përmes falsifikimit të dokumenteve, pasi sipërfaqja ka qenë në pronësi të shtetit. Në lidhje me këto akuza u arrestua pak kohë më parë edhe ish-kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro.
Kur u pyet rreth kësaj dosjeje, deputetja Xhaçka deklaroi se ajo dhe i shoqi nuk kanë frikë nga SPAK-u. “Bashkëshorti im ka blerë një pronë për të cilën ka lidhur fillimisht një kontratë premtimi dhe kur prona ka marrë vërtetimin e pronësisë, sipas dakordësisë në kontratën e premtimit, ka bërë aktin e blerjes së pronës. Unë e di që nga kontrata e premtimit dhe deri tek akti i blerjes së pronës kanë kaluar shumë muaj, për të mos thënë një vit. Unë nuk e di pse ish-pronarët kanë zgjedhur ta shesin 10 lekë, dhe jo 100 lekë. Apo 50 lekë, dhe jo 500 lekë. As unë dhe as bashkëshorti im nuk kemi si ta dimë historikun e kësaj prone”, tha Xhaçka.
Tjetërsimi i pronave ushtarake
Një tjetër dosje ku po hetohet deputetja Xhaçka lidhet me kohën kur ajo ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Në mars të vitit 2021 ajo u padit nga kapiteni i Rangut të Parë, Artur Meçollari, i cili kishte mbajtur postin e zëvendëskomandantit të Forcës Detare në ushtrinë shqiptare deri 7 muaj para kallëzimit në SPAK.
Meçollari e akuzoi Xhaçkën se në bashkëpunim me ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, kishin dhënë me qira në mënyrë të kundraligjshme bazën detare të Limionit në Sarandë, duke i dhënë investitorit të gjithë pronën prej 4 hektarësh pa i referuar çështjen Presidentit dhe pa i lënë asnjë metër në përdorim Forcës Detare.
Limioni iu dha me qira kompanisë investitore “Marina Bay Saranda”, e cila kishte nisur punën për ndërtimin e një resorti turistik dhe porti jahtesh brenda bazës, por pas nisjes së hetimeve prokurorët e SPAK-ut vendosën sekuestro preventive.
Pak javë më pas, Meçollari akuzoi për “shpërdorim detyre” ish-ministren e Mbrojtjes Xhaçka edhe në lidhje me bazën detare të Shëngjinit, e cila iu dha një ish-pronari që ngriti një ngrehinë 4-katëshe brenda zonës ushtarake.
Për rastin e Shëngjinit, Meçollari drejtoi gishtin edhe ndaj Presidentit të vendit Bajram Begaj, i cili mbante postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Punimet u anuluan në kohën kur Niko Peleshi u emërua ministri i ri i Mbrojtjes.
Në një deklaratë publike pas daljes nga SPAK-u kur pyetej një vit më parë për tjetërsimin e bazave detare, Xhaçka pati deklaruar se akuzat ndaj saj ishin të pavërteta: “Është e mirëseardhur dita për mua kur do të marrë përgjigje nga drejtësia alarmi fals që asete të cilat, për fat të keq, kanë qëndruar mes ndryshqeve, do të kthehen sot në asete me vlerë, siç është rasti i Portit të Sarandës, ku nuk ndryshon as baza detare, e cila do të jetë më e mirë, si një bazë ndihmëse në funksion të Forcave të Armatosura dhe të Flotës Detare, por edhe vendit do t’i jepet një port turistik për zhvillimin e ekonomisë”.
Në nisjen e sezoni të ri parlamentar në shtator 2023, kryeministri Rama e largoi Xhaçkën nga posti i ministres së Jashtme.
Edhe pse arsyeja nuk u bë kurrë publike, duket se problemet me drejtësinë të Xhaçkës në më shumë se një rast ndikuan edhe në karrierën e saj politike. /shteg.org