Një 27-vjeçar është arrestuar nga policia pasi kërcënoi më armë imituese dhe qëlloi me çekiç pronarin e një lokali në Shijak.
Policia bën me dije se u proceduan penalisht dhe 2 vëllezërit e 27-vjeçarit. Dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e lokalit, tre vëllezërit kanë shkuar në ambientet e biznesit të tij dhe e kanë kërcënuar dhe i kanë thyer xhamat.
Sendet e kundërligjshme që u përdorën për kryerjen e këtij krimi, si dhe automjeti i këtyre shtetasve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, menjëherë pas marrjes së informacionit, për një konflikt për motive të dobëta, të ndodhur në një lokal në Shijak, kanë organizuar punën për të neutralizuar konfliktin dhe për të arrestuar shtetasit përgjegjës.
Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale dhe hetimore të kryera në vendngjarje, shërbimet e Policisë arrestuan shtetasin F. Ç., 27 vjeç, banues në Shijak, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 vëllezërit e tij, shtetasit Xh. Ç., 32 vjeç, A. Ç., 27 vjeç, gjithashtu banues në Shijak.
Nga këto veprime rezultoi se shtetasi F. Ç., në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë kanosur me armë imituese, shtetasin M. Rr., 29 vjeç, banues në Shijak (pronar i një lokali në Shijak), e kanë goditur atë me send të fortë (çekiç), si dhe kanë thyer xhamat e lokalit në pronësi të tij”, njofton policia.