Pas mbledhjes së asamblesë kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama foli ndër të tjera edhe për zgjedhjen e presidentit, duke komentuar edhe zërat e ditëve të fundit që flasin se edhe Basha mund të jetë një alternativë.
“Sapo kemi mbaruar një mbledhje të asamblesë kombëtare në vigjilje të kongresit, i cili do të jetë një kongres në një kontekst të jashtëzakonshëm, ndryshe nga kongreset e mëparshëm.
Do të kemi jo vetëm ata që do të flasin në emër të lidershipit të partisë, por të gjithë deponimin dhe po bëjmë atë që duhet për të pasur të ftuar që të përfshihen në debatet tona, në kërkim të gjallërimit të debatit të shëndetshëm me një frymë kritike. Problemi ynë më i madh është vetvetja, pasi kundërshtarët janë bërë një problem që për momentin nuk ekziston.
Ne kemi nisur një proces me një2 skuadër të mandatuar nga PS për të hapur një kanal komunikimi me forca, grupe, individë që përfaqësojnë anën tjetër. Ndërkohë kemi hapur një proces të brendshëm, pasi është hera e para që PS i ka votat për të zgjedhur presidentin dhe nuk varet nga votat e të tjerëve për t’i dhënë Shqipërisë një njeri normal.
Lulzim Basha mund të bëhet president i republikës me votat e kësaj shumice, aq sa Berisha mund të fitojë çmimin Oscar me mbështetjen e Syri Qimit.net”, tha Rama.