Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një videomesazhi këtë të premte se qeveria në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë kanë miratuar një linjë kredie prej 250 milionë eurosh që do të jetë vetëm për bizneset e vogla dhe të mesme.
Vendimi i paprecedentë përbën stimulin më të madh monetar që injektohet direkt në financimin e bizneseve shqiptare.
“Banka e Shqipërisë sapo ka miratuar një linjë të re financimi për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus kryesor tek bujqësia, 250 milionë euro. Kemi diskutuar që ta mbështesim nga qeveria këtë ligj financimi edhe me një garanci sovrane, ky është volumi më i lartë i vënë në mbështetje me kredi të buta’, tha ai
Linja e kredisë parashikon krijimin e një instrumenti afatgjatë kreditimi për bankat, të cilat kanë akses në operacionet monetare të Bankës së Shqipërisë, me kosto më të ulët se norma bazë e interesit, kundrejt detyrimit që ky likuiditet të përdoret ekskluzivisht për financimin e këtyre bizneseve.
Burime zyrtare nga Banka e Shqipërisë konfirmuan për Kapitali se skema do të shtrihet për dy apo tre vjet dhe norma e kredive për bizneset private që do të disbursohen përmes këtij programi do të jetë jo më e lartë se 3.5 për qind, në rastet kur janë pa garanci qeveritare. Ndërsa për pjesën e skemës me garanci qeveritare, norma e interesit për biznesit do të jetë jo më e lartë se 2.5 për qind.
“Ky program është konceptuar brenda kornizës ligjore që rregullon aktivitetin e Bankës së Shqipërisë dhe parimeve të ekonomisë së tregut, synon përmirësimin e kushteve të financimit të bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme. Programi do të zbatohet nëpërmjet bankave tregtare që zhvillojnë veprimtari në Shqipëri dhe janë të licencuara, rregulluara dhe mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë,” lajmëroi zyrtarisht Banka e Shqipërisë pak ditë më parë.
Ndërkohë, kreditë do të jepen vetëm për investime dhe zgjerimin e aktivitetit të biznesit. Veç linjës së kredisë, kryeministri lajmëroi dhe një zhvillimi tjetër, krijimin e bankës së parë të zhvillimit në Shqipëri.
“Sapo kemi finalizuar projektligjit për Bankën Shqiptare të Zhvillimit falë bashkëpunimit me prestigjozen Cassa Depositi e Prestiti në Itali, një institucion financiar që bënë pjesë në gjerdanin e ekselencave italiane jemi gati t’ja shtojmë Shqipërisë këtë motor zhvillimi. Projekti është bindës dhe do të hidhet së shpejti për konsultim publik, banka do të menaxhohet nga një super skuadër shqiptaro italiane dhe do të asistohet nga afër nga partnerët e Cassa Depositi e Prestiti për të garantuar një qeverisje të pavarur dhe të suksesshme,’ tha Rama./kapitali