1 orë ka mjaftuar që kryeministri Edi Rama të ndante porositë për Kryesinë e re të Partisë Socialiste, e cila u zgjodh nga Asambleja Kombëtare e PS-së. Në fjalën e tij, Rama ka kërkuar punë, disiplinë dhe seriozitet në përmbushjen e objektivave që kryesocialisti vendosi të dielën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në vitin që vjen.
Po ashtu, Rama ka lënë edhe porositë se si do të ndahet puna mes tre drejtuesve politikë të Tiranës, kryebashkiakut të kryeqytetit Erion Veliajt, Elisa Spiropalit dhe Ogerta Manastirliut. Puna mes tyre do të ndahet në këtë mënyrë: Manastirliu do të merret me organizimin në strukturën e partisë në Bashkinë Tiranë; Spiropali do të merret me strukturat në Kamëz, Vorë, Rrogozhinë dhe Kavajë. Ndërsa Veliaj do të jetë drejtues dhe përgjegjës për të gjithë qarkun.
Në ndihmë të Taulant Ballës, që do të jetë drejtues politik për diasporën, do të jetë edhe Romina Kuko. kjo e fundit bashkë me kryediplomatin Igli Hasanin do të organizojë punën dhe takimet me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Pas përfundimit të mbledhjes, ndryshe nga sa ndodh zakonisht, kreu i qeverisë nuk mbajti asnjë fjalë për mediat.