nga Gazeta Jonë
Dikur, në rininë e tij politike, kur Shaban Memia me 300 petritët e tij nga Kamza Paskuqani parakalonte në formë proteste të përditshme para zyrave të bashkisë, Edi Rama shprehej nëpër tavolina të ngushta se “malokëve i duhej bërë hyrja me pasaportë në Tiranë”.
Kaluan vite dhe duket se ëndrra e ish-kryebashkiakut, kryeministër për 12 vite dhe kushedi se deri ku, ndoshta deri kur për Berishën opozita të mos jetë më shumë fitimprurëse se sa marrja e pushtetit, ëndrrën e atëhershme po e kthen në realitet.
Thonë se Rama i realizon me çdo kusht synimet e tij, kur thotë diçka “do ta bëj”, e bën.
Me aplikimin e tarifës prej 2.7 euro nga oligarku Bashkim Ulaj për rrugën Thumën-Kashar, si edhe 5 euroshin nga oligarkëy Shefqet Kastrati dhe Pëllumb Sallillari (pa kaluar nga ura e re ende, mqs nuk mban dot peshë ajo), çdo tropojani, hasjani apo kuksiani i kushton të paktën 15 euro dhe maksimumi 18 euro për të ardhur në Tiranë dhe për t’u larguar nga kryeqyteti.
Ironia e fatit është se janë pikërisht, një tropojan si Bashkim Ulaj dhe një kuksian si oligarku Shefqet Kastrati që po u bëjnë zborin patriotëve të tyre.
Madje, edhe ata malsorë që janë përreth Tiranës nuk dalin dot për të shkuar në vendlindjet e tyre pa paguar minimumi 15 euro të oligarkët e qeverisë.
Disa ditë më parë, sipas një shkrimi të Monitor, taksat e rrugëve preknin pikërisht zonat veriore të vendit, për shkak edhe të nivelit ekonomik më të ulët. /Gazeta Jonë