Portugezi, Ruben Saravia, vrasësi i dyshuar i Ardian Nikulaj në Shëngjin, ka qëndruar për të paktën nga 14 shkurti kur erdhi në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit, deri në 19 prill kur ekzekutoi biznesmenin në hotelin e tij “Coral”, në një banesë përdhese në Kakarriq të Lezhës.
Ky nuk është rasti i vetëm kur kemi patur vrasës me pagesë të ‘importuar‘ nga vendet e huaja duke nisur nga vrasja e Devi Kasmit e deri tek masakra në Tiranë.
27 majit në vitin 2015, në ditën që Tirana ishte e blinduar nga masat e policisë për vizitën e presidentit serb, në krahun tjetër të bulevardit, në afërsi të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Salvatore Letizia e Besnik Sulku sulmuan me armë automjetin që lëvizte Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj.
Të shtënat ishin fatale për viktimat, por edhe për ideatorin e atentatit Sulku, i cili u qëllua për vdekje nga nipërit e viktimave.
Veç ngjarjes së rëndë që kishte si motiv hakmarrjen, ajo që bëri përshtypje ishte italiani Letizzia, i cili u arrestua pak minuta më pas. Sipas mediave italiane, Letizia përshkruhej si një vrasës gjakftohtë, ndërsa ishte pjesë e klaneve të Camorras duke u bërë i pari vrasës që kontraktohej në eliminimin e shqiptarëve. Por emri i Letizzias, i cili u dënua me burgim të përjetshëm shumë shpejt u zëvendësua nga një tjetër vrasës me pagesë kësaj herë ish-pjesë e Forcave Speciale Greke.
29 janarit 2018, Efthimio Efthimiu u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Devi Kasmit, pak larg nga banesa e tij në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë.
Veç vrasjes së Kasmit u dyshua se dy vite më parë ish-pjesëtari i Forcave Special qëlloi me snajper dhe ndaj Nelgert Patës. Për ngjarjen në rrugën e Kavajës 34-vjeçari shpëtoi, por u vra pak kohë më pas në afërsi të qytetit të Fierit ngjarje e cila vijon të jetë pa autor.