Dubai ishte vendi ku mendohej që fshihej Marklen Haka, por ky i fundit ishte rikthyer prej kohësh në atdhe dhe ishte strehuar në banesën e të afërmit të tij. Por pardje, në orën 14.00, në banesë kanë hyrë forcat speciale RENEA.

Edhe pse Haka, siç u pa nga pamjet me dron tentoi që të ikte me vrap nga banesa në afërsi të Liqenit të Bacungut, nuk ia doli dot dhe përfundoi në pranga.

Sinjali për rikthimin e Hakës në Shqipëri ishte dhënë prej kohësh pranë uniformave blu, edhe pse i riu kishte hyrë ilegalisht nga Kosova.

Haka është mbajtur nën vëzhgim për më shumë se 4 ditë më dronë, deri në momentin kur dhe është vendosur për të ndërhyrë.

Në momentin që Haka, me pranga në duar, futet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, përballet me kryepolicin Tonin Vocaj, të cilit i thotë diçka.

Në një moment të videos shquhet se i thotë: Maskarenj! Por megjithatë për shkak të largësisë së kamerave, nuk është e qartë përveç faktit se Haka duket i shqetësuar, ndërsa Vocaj vazhdon rrugën i qetë për të takuar kolegët e tij të RENEA-ve.

Siç bën me dije “TopChannel”, edhe pse në Drejtorinë e Policisë së Shtetit është marrë disa herë në pyetje, Marklen Haka ka zgjedhur që të heshtë.

Jo vetëm që nuk ka folur për akuzat që i rëndojnë mbi shpinë, por nuk ka dhënë asnjë detaj sesi është fshehur për muaj më radhë nga drejtësia.

Pa përgjigje mbetet edhe pyetja se përse ka vendosur që të kthehet në atdhe, kur prej kohësh fshihej në një vend ku ekstradimi është i pamundur.

Ndërkohë heshtjen ka zgjedhur edhe i afërmi i të kërkuarit nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 21-vjeçari Klajdi Haka.

Gjatë kontrollit të banesës së 21-vjeçarit, Klajdi Haka, u gjet edhe një pistoletë, ndaj ai akuzohet për “armëmbajtje pa leje” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.

4 ditë në vëzhgim! Si u ndoq këmba-këmbës Marklen

KLAJDI HAKA

Por kush është Marklen Haka?

Marklen Haka është emër i njohur për drejtësinë. Në janar të vitit 2020 Marklen Haka u arrestua nga forcat RENEA gjatë një operacioni te shtrirë në disa qytete të vendit.

Ai ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por të dyja herët u lirua për mungesë provash.

Marklen Haka, në shtator të vitit 2019 i ka shpëtuar një atentati në derë të shtëpisë së tij, ku mbeti e vdekur halla e tij, Shpresa Basha. Vetë ai mori një plumb në nofull.

Marklen Haka i njohur si anëtar i Bandës së Niklës u arrestua dy ditë më parë (6 shtator) në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Marklen Haka alias Marklen Aliu  kishte rreth një muaj që kishte ardhur nga Dubai ku jetonte prej kohësh.

Dyshohet se ai ka hyrë në vend ilegalisht nga Kosova. Haka akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.