Ata janë njerëzit më të pasur të Shqipërisë. Jetojnë të ndarë nga pjesa tjetër në një komplekse luksoze, ku vilat kushtojnë mesatarisht 2 milionë euro. Por sërish nuk i rezistojnë dot sindromës së Bathores, për të ndërtuar shtesa të shëmtuara pa leje, njësoj si pallatet në vitet 90’.
Është mentaliteti apo është babëzia? Pak rëndësi ka. Por kjo është ajo që ka ndodhur në Rolling Hills, kompleksin luksoz të vilave në periferi të Tiranës, i cili mbledh elitën e pasanikëve të Shqipërisë.
Komisariati i Farkës në bashkëpunim oficerët e hetimit të krimit mësyu këtë të hënë në zonën rezidenciale më luksoze të kryeqytetit, në një aksion për ndërtime pa leje.
Siç tregojnë pamjet, brenda kompleksit janë konstatuar katër rastet e para të shtesave pa leje, ndërkohë që ka dhe raste kur janë ngritur kate të tëra pa leje.
“Nga ana jonë do të kryhen veprimet proceduriale dhe nga ana e IKMT-së në zbatim të ligjit do të kryhen verifikimet në terren dhe më pas do të jepen masat administrative,” u shpreh një nga drejtuesit e policisë i pranishëm në aksion.
Aksioni i policisë ka nisur pas shqetësimit të banorëve që janë dëmtuar nga shtesat pa leje. Sipas rregullores, personat që kanë ndërtuar në shkelje të ligjit nuk kanë marrë më parë miratimin e Asamblesë së banorëve.
Burime thanë se javën e ardhshme policia do të zhvillojë një tjetër aksion po në të njëjtin kompleks, pasi ka informacion se janë me dhjetra raste të tjera shtesash pa leje.
E megjithatë Rolling Hills nuk është kompleksi i vetëm luksoz, i cili ka shtesa pa leje. Janë një sërë kompleksesh rezidenciale elitare në zonën e Farkës, ku ka ndërtime masive pa leje. Sepse pjesa më e madhe e atyre që banojnë aty janë të fortët e politikës ose biznesit, të cilët kur hedhin beton dhe shtojnë kate pa leje nuk i kap burgu ashtu si qyyetarët e zakonshëm, që arrestohen edhe për kotecet e pulave.
Kjo është elita ekonomike e Shqipërisë, e cila shton pasuri pafund, por sërish nuk del dot nga sindroma e Bathores.