Kryeministri Edi Rama ka nisur ditën e sotme të quajturin sipas tij “turin e falenderimeve”, pas zgjedhjeve lokale të 14 Majit, ku socialistët arritën të fitonin 53 bashki, nga 61 në total.
Ndalesës e parë, Rama e ka patur në Shkodër, aty ku e majta mori një fitore historike, e para në 32 vite demokraci. Në një prej lokaleve të Shkodrës, kryeministri ka zhvilluar një takim me kryebashkiakun e sapozgjedhur Benet Beci dhe anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak.
Rama këshilloi Becin sesi të veprojë pasi të marrë detyrën si kryebashkiak. Ai tha se nuk duhet të ketë lëvizje në pozicionet e punës në bashki, duke shtuar se duhet të ketë një vlerësim meritokratik për të gjithë. Ai tha se pjesa më e vështirë pas fitores së Shkodrës për herë të parë pas 30 vitesh, është përsëritja e fitores, për shkak të punës së madhe që duhet bërë në mënyrë që njerëzit të besojnë plotësisht.
“Duhet bërë një vlerësim meritokratik, vajzë dhe gratë duhen motivuar. Hera e parë që kanë votuar për PS është këtë herë. Vota është e fshehtë se aty te ajo kutia, është dashur të hyjë disa herë për të kthyer zemrën. Nuk e di çfarë ka bërë por do të kesh presion të madh duhet që ta mbash atë, duhet të bësh një bashki për të gjithë qytetarët e Shkodrës nëse do që të mbështesin siç të mbështetën sepse një herë mund të fitosh, por të përsërisësh fitoren është e vështirë. Një gjë duhet që të dish nga unë, se sa herë që kam ardhur këtu duke kërkuar vota kam ngrënë shpulla. Këtë herë të kanë fituar me mendje jo me zemër, zemrën nuk ta japin se e kanë djathtas si puna jote, por tua marrësh e tua vendosësh në qendër. Në fushatë që ti e konsidero pjesën më të vështirë është më e lehtë në zyrë është më e vështirë, janë vendimet që të takojnë ty dhe të marrësh vendimet e duhura duhet që të dish të thuash jo.”– u shpreh Rama.