Samir Mane, Marin Gjonaj , Theodhori Çami, Adrian Shatku, Vodafone Albania , EMRAT për të cilët duhet të flasë sot Meta para prokurorëve të SPAK
Ish-presidenti Ilir Meta do të merret sot në pyetje nga prokurorët e SPAK, në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij në dosjen e krijuar pas arrestimeve të bujshme të tetorit 2024.
Meta akuzohet për përfshirjen në çështjen CEZ-DIA, ku dyshohet se ka përfituar shuma të mëdha parash nga kjo aferë, si dhe për fshehje të ardhurash, korrupsion dhe veprime të tjera të paligjshme.
SPAK , Theodhori Cami hyri “mik” te Vodafone për interesa të çiftit Meta-Kryemadhi, DALIN SMS-të
Një ndër çështjet më të spikatura në dosje lidhet me dhurimin e një vile në kompleksin “Rolling Hills” nga biznesmeni Samir Mane për çiftin Meta-Kryemadhi.
Kjo vilë dyshohet se u dha si rryshfet pas miratimit të një ligji me porosi për sektorin e minierave.
Sipas dokumenteve që ka parë Gazeta Jonë, Kryemadhi kishte nisur punimet në vilë, por më pas Meta hoqi dorë nga kjo pronë pasi afera u zbulua.
Në dosje thuhet se ish-ambasadori grek, Oktapodas, e kishte informuar Metën se do të bëheshin fqinj, gjë që nxiti kalimin e vilës në emrin e biznesmenit Shefqet Kastrati.
SPAK duhet të hetojë nëse Kastrati e ka përdorur realisht këtë pronë apo thjesht ka vendosur emrin e tij për të fshehur përdorimin e vazhdueshëm nga Meta dhe Kryemadhi.
Afera Adrian Shatku – Vodafone Albania – Marin Gjonaj – Theodhori Çami
Sipas hetimeve të SPAK, Meta dhe Kryemadhi dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha nga kompania Vodafone Albania, duke shfrytëzuar ndikimin e tyre në terminin e thirrjeve telefonike dhe në transaksionet e kompanisë.
Kjo aferë mbetet një nga pikat kyçe në dosjen që SPAK po heton në lidhje me pasurimin e paligjshëm të çiftit.
Personazhi kyç në këtë rast është Adrian Shatku, i cili lidh Kryemadhin, Metën, Marin Gjonajn dhe Vodafone Albania në shërbim të kompanisë UNIFI Holdings. Shatku shërben si përfaqësues i interesave të Metës dhe Kryemadhit në UNIFI Holdings, ku duket se kemi një marrëdhënie pronarë-vartës.
Sipas dosjes që ka parë Gazeta Jonë, rezulton se kompania Info Telecom, e drejtuar nga Marin Gjonaj është vënë në shërbim të Metës dhe Kryemadhit duke mundësuar lidhjen teknike të pajisjeve të UNIFI me Vodafone, duke përfituar përqindje fitimi nga ky raport.
Në komunikimet e zbardhura nga SPAK, rezulton se Monika Kryemadhi dhe Adrian Shatku diskutojnë pikërisht për Marin Gjonajn dhe rolin që kishte kompania Info Telecom në lidhjen teknike të UNIFI me Vodafone për tranzitimin ndërkombëtar të thirrjeve.
UNIFI u fut në tregun e tranzitimit të thirrjeve të Vodafone, ndërkohë që më herët ishin aktivë Theodhori Çami dhe Marin Gjonaj.
Çami luajti rolin e sekserit mes drejtuesve të Vodafone, ndërsa Gjonaj atë të sekserit teknik, duke mundësuar lidhjen e pajisjeve, çka u mundësoi Adrian Shatkut, Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës të përfitonin qindra mijëra euro në muaj, duke shfrytëzuar influencën e tyre.
Çfarë është dhe si funksionon tranzitimi i thirrjeve ndërkombëtare?
Interkonjeksioni është lidhja e dy rrjeteve telefonike, fikse ose celulare, në mënyrë që thirrjet të kalojnë nga një rrjet te tjetri, për shembull, lidh rrjetin e Vodafone Mbretëria e Bashkuar me rrjetin e Vodafone Shqipëri. Këto dy rrjete, duke qenë se nuk kanë lidhje direkte, duhet të kontraktojnë një palë ndërmjetëse, e quajtur operator tranzitues, që të marrë thirrjet nga një rrjet dhe t’i transmetojë te rrjeti tjetër.
Vodafone Shqipëri faturon kompaninë tranzituese për minutat që ka sjellë në rrjetin e saj, ndërsa operatori tranzitues faturon kompaninë telefonike nga ku gjenerohet thirrja për minutat që ka dërguar te Vodafone Albania, por me një çmim më të lartë sesa ai që i faturon Vodafone Shqipëri. /gazetajonë