Departamenti i Shtetit i SHBA-së, më 24 janar, urdhëroi ngrirjen e financimeve të reja për pothuajse të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane si pjesë e përpjekjes së presidentit Donald Trump për t’i përshtatur këto programe me qëllimet e tij të politikës së jashtme.
Këto programe zbatohen kryesisht përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ua dërgoi një mesazh ambasadave amerikane në mbarë botën duke sqaruar zbatimin e një urdhri ekzekutiv që Trump e nënshkroi më 20 janar, ku thuhej se “asnjë ndihmë e mëtejshme ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara nuk do të shpërndahet në një mënyrë që nuk është plotësisht e përputhur me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Sipas urdhrit ekzekutiv të Trumpit, ndihmat e tanishme amerikane “nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe, në shumë raste, janë në kundërshtim me vlerat amerikane”.
Shtohet se programet e ndihmës “shërbejnë për të destabilizuar paqen botërore” duke promovuar ide që bien ndesh me marrëdhëniet e qëndrueshme brenda vendeve që ato shërbejnë dhe me marrëdhëniet midis atyre vendeve dhe të tjerëve.
Urdhri ekzekutiv kërkon një pezullim 90-ditor të ndihmës zhvillimore ndërkombëtare të SHBA-së për të vlerësuar efikasitetin dhe “përputhshmërinë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”. Ky urdhër i prek shpërndarjet e reja të fondeve për vendet e huaja, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe kontraktorët, deri në përfundimin e rishikimeve të programeve.
Trump dhe republikanë të tjerë ishin zotuar se do të ndërmerrnin masa kundër programeve të ndihmës ndërkombëtare amerikane, dhe memoja e Rubios justifikoi ngrirjen duke thënë se ishte e pamundur për administratën e re të vlerësonte nëse angazhimet ekzistuese të ndihmës ndërkombëtare “nuk janë të përsëritura, janë efektive dhe janë në përputhje me politikën e jashtme të presidentit Trump”.
Kryetari i ri i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, përfaqësuesi Brian Mast (republikan nga Florida), premtoi këtë javë se republikanët do të shqyrtonin “çdo dollar dhe çdo diplomat” në buxhetin e Departamentit të Shtetit për të siguruar që ai i plotësonte standardet e tyre për nevojshmëri strikte.
Mast tha në një deklaratë pas konfirmimit të Rubios si sekretar i Shtetit se ai synon të punojë me Rubion për të “eliminuar” shpërdorimin në Departamentin e Shtetit.
Reagimi i demokratëve
Anëtari kryesor i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës reagoi ndaj këtij vendimi duke thënë se ai “minon udhëheqjen dhe besueshmërinë amerikane” në mbarë botën.
“Programet e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara promovojnë stabilitetin në vende të tjera për të ndihmuar në ndalimin e krizave që mund të përhapen drejtpërdrejt në pragun tonë”, tha përfaqësuesi Gregory Meeks (demokrat nga Nju Jorku) në një letër drejtuar Rubios.
“Ndihma ndërkombëtare nuk është një dorë e zgjatur; është një investim strategjik për të ardhmen tonë që është jetik për udhëheqjen globale të SHBA-së dhe për një botë më të qëndrueshme”.
Sipas tij, ndihma ndërkombëtare amerikane i shërben drejtpërdrejt interesave të SHBA-së dhe demonstron besueshmërinë e vendit ndaj aleatëve, partnerëve dhe njerëzve të cenueshëm që mbështeten në ndihmën amerikane për mbijetesë.
Duke pezulluar programet aktuale dhe duke penguar të rejat, Shtetet e Bashkuara do të “lënë këtë hapësirë” për kundërshtarët e saj, thuhej në letër, e cila ishte nënshkruar gjithashtu nga përfaqësuesja Lois Frankel (demokrate nga Florida), anëtarja kryesore në Nënkomisionin e Sigurisë Kombëtare, Departamentit të Shtetit dhe Programeve të Ndërlidhura për Buxhetimin.
“Për vite me radhë, republikanët në Kongres kanë kritikuar atë që ata e shohin si mungesë të besueshmërisë së SHBA-së në raport me vende si Kina, Rusia dhe Irani. Tani besueshmëria jonë është në rrezik dhe duket se do të tërhiqemi nga angazhimet amerikane ndaj partnerëve tanë në mbarë botën”, thanë Meeks dhe Frankel./rel