Pamje të reja janë publikuar nga ekzekutimi mafioz i Klaudio Prendit në zonën e Xhamllikur në Tiranë. Në foton e mëposhtme janë ende plumbat e atentatorëve në xhamin e makinës “G Class-it” që po drejtonte i riu në momentin e krimit. LSA ka publikuar foto të mjetit, i cili është vendosur në karroatrec nga policia. Në xhamin e makinës duken shenjat e plumbave që i morën jetën Prendit.
Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, u vra me breshëri plumbash vetëm pak pas mesnatës së të martës, fill sapo doli nga një lokal që ndodhej me miqtë e tij në zonën e Xhamllikut. Autorët, të cilët dyshohet se ishin 3, shoferi, qitësi dhe një person që i ka ndihmuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes e kanë ndjekur prej kohësh djalin e ish-gjyqtarit deri në momentin që ai ka dalë vetëm nga lokali. Sapo po hipte në mjetin e tij, ata kanë qëlluar. I riu mori plagë në kokë dhe në gjoks, të cilat rezultuan fatale për të, edhe pse miqtë e tij e dërguan menjëherë në spital.